Kadri Veseli takohet me ambasadorin amerikan

E publikuar: 29/11/2017 11:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pak para se të nis seanca e sotme ka pritur ambasadorin amerikan Greig Delawie.

Nuk ka pasur ndonjë përgjigje zyrtare për këtë takim, mirëpo kjo lidhet me disa pika që Kuvendit pritet t’i miratojë, shkruan gazetametro.net.

Metro mëson se arsye për këtë takim ka qenë projektligji për liritë fetare, i cili pritet të miratohet sot, e që është një nga ligjet që kërkohet për aplikim në UNESCO.

Për miratimin e këtij projektligji kishte shkruan ambasadori edhe më herët, e që si duket kjo u bë arsye edhe për takim.

‘Projektligji për liritë fetare është i mirë për të gjitha besimet dhe sekularistët, lufton ekstremizmin. Është mirë për Kosovën dhe unë i kërkoj Kuvendit të miratojë këtë ligj’, kishte thënë Delawie.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën që u ndërpre dy herë javën e shkuar. Njëra shtyrje u bë pasi PDK’ja lëshoi sallën në kundërshtim me fyerjet që gjykatësit e EULEX’it i kishin bërë ish-komandantëve të UÇK’së, e dy ditë më pas seanca u shtye në mungesë kuorumi pasi LDK e VV nuk morën pjesë. Kjo e fundit u largua nga Kuvendi pasi iu arrestuan tre deputetë në hyrje të Kuvendit.