I dashur Zoran,
Më ka ndodhur më shumë se një herë që në letrat e tua, në paragrafë të veçantë, të gjej copa Shqipërie. Ti flet për Serbinë, sigurisht, por me sa duket, realitetet janë aq të ngjashme, sa mua më bëhet se flet edhe për Shqipërinë. Për ilustrim po jap më poshtë një pasazh të pandërprerë nga letra jote e fundit. Ti thua: “Megjithëse ka legjitimitet zgjedhor, dhe ndoshta ka fituar relativisht bindshëm edhe në zgjedhje me standarde demokratike, pushteti i Vuçiqit shpeshherë të lë përshtypjen e një pushteti uzurpator, ndërsa opozita, e vendosur në një pozitë antisistem, tërë strategjinë e saj e bazon në pritjen foshnjarake të ‘orës zero’ të historisë. Që të nxjerrim një përfundim, opozita do të bëjë një politikë të vërtetë, vetëm atëherë kur të largohet Vuçiqi nga pushteti, kur t’u kthehet dinjiteti institucioneve dhe mediave në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe të krijohet një ambient demokratik”.
Këto janë fjalë të tuat, për vendin tënd, por mund të ishin fare mirë të miat, për vendin tim, me kusht që të zëvendësojmë emrin e Vuçiqit me atë të Ramës. Ky i fundit fitoi bindshëm zgjedhjet e fundit, gjë që e bën legjitim pushtetin e tij, që nga ana e vet (pushteti) të lë përshtypjen e një gjëje uzurpatore. Opozita këtu nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të demonizojë kryeministrin, ta konsiderojë atë politikanin më të keq që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, madje ta shpallë atë armikun e shqiptarëve, e prandaj shpresën e sheh veç te rënia e tij, që do të sillte orën zero. Dhe ora zero nuk është gjë tjetër, veçse momenti “gattopardo-ian” për të ndryshuar gjithçka në mënyrë që gjërat të mbeten ashtu siç ishin. Sepse ajo që vjen me rrëzimin e Ramës është e njëjta lojë me porta të ndërruara. Opozita e sotme do të bëhet pushteti uzurpator, të cilin opozita e nesërme do ta konsiderojë të keqen më të madhe në histori, e mbi këtë bazë do t’i përgatisë shqiptarët për një orë tjetër zero.
Unë nuk e kam idenë se deri ku shtrihet kjo ngjashmëri mes nesh. Dhe nuk do zgjatem në këtë pikë. Por do të përpiqem të bëj një fotografi të shoqërisë shqiptare. Më saktë, do të evidentoj disa tipare që e dallojnë këtë shoqëri. Më thuaj ti, nëse do të gjesh ngjashmëri. Më së pari, ne shqiptarët, i dashur Zoran, kemi ende gjurmë të një organizimi tribal të jetës. Dhe kjo është një karakteristikë dalluese, që manifestohet më së shumti në organizimin politik. Identiteti tribal këtyre anëve, në rrethana të caktuara, vlen shumë më tepër se sa një diplomë e marrë në Princeton apo në Stanford. Afërmendsh, nuk shënohet në CV se nga vjen, por është informacioni më i parë që të kryen punë kur të duhet të hysh në administratën publike. Nëse je nga një vend i caktuar. Ke dëgjuar ndonjëherë për tropojanët, skraparlinjtë, tepelenasit? Nuk besoj. Sepse nuk kanë lënë gjurmë në histori. Por në Shqipërinë e sotme janë të famshëm për një arsye të thjeshtë: pushtojnë administratën publike sa herë që në pushtet vjen respektivisht Sali Berisha, Ilir Meta, Gramoz Ruçi. Në një rast, një deputet i Ilir Metës, më ndaloi në rrugë, e më tha: “Dëgjo Mustafa, ti je nga Skrapari, dhe nuk të takon të kritikosh Ilir Metën; lëre ta kritikojnë të tjerët” (Ilir Meta është gjithashtu nga Skrapari). Dhe pas kësaj më përmendi një fjalë të urtë shqiptare, që edhe aq e urtë nuk më duket: Yti mishin ta ha, por kockën ta ruan. E keni edhe ju këtë fjalë të urtë? Nuk di pse nuk do doja ta kishit. Do doja të ishte ekskluzivisht shqiptare. Ndoshta ngaqë i jep shumë kuptim fiksimit tribal që kemi ne shqiptarët.
Një karakteristikë e dytë lidhet me nderimin e veçantë që ne shqiptarët u bëjmë trimave të çartur, kaçakëve, cubave. Dhe kjo nuk është thjesht një karakteristikë e moçme, që është përjetësuar në këngë të shumta. Jo, është karakteristikë edhe e këtyre kohëve. Cubat thirren sot me një eufemizëm, “të fortët”, dhe janë në një mënyrë a në një tjetër protagonistë të jetës urbane e publike. Dhe – për të qenë më i qartë – me “të fortë” kam parasysh tipa si ai Ivani juaj “i tmerrshëm”, tifozi i Yllit të Kuq të Beogradit, që për herë të fundit u bë lajm europian gjatë ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri për shkak të dronit. Ai dukej zot i situatës në atë ngjarje. Kështu janë edhe të fortët tanë. Me një ndryshim esencial: këta tanët kanë rol, ndikim e charm politik më shumë se sa një institut apo organizatë politike. Apo edhe në Serbi është e njëjta gjë?
Një djali nga Mirdita, që tani është në burg për ca bëma kriminale, deri edhe vrasje, ia dha në kokë në vitin 2013 të kandidonte për deputet. Dhe kandidoi. Emri i tij ishte krejt i panjohur deri në atë moment në planin nacional. Duke qenë se partitë e mëdha nuk e preferuan (për shkak se ishte i pashkolluar), ai kandidoi më vete. Dhe arriti të zgjidhej deputet, ndonëse ligji ynë elektoral është i hartuar me synimin për të mos lejuar afirmimin e partive të vogla, apo individëve të fuqishëm. Ai fitoi i vetëm kundër të gjithëve. Sepse zgjedhësit i besuan atij. Dhe i besuan jo sepse nuk e njihnin. I besuan bash sepse e dinin se kush ishte. Sikur të mos kish qenë vrasës, sikur të kish qenë thjesht një “i fortë”, do të ishte ende deputet. Do të ishte, me shumë gjasë, me partinë e Edi Ramës, i cili duket se i ka pikë të dobët “të fortët” (do duhet që dikush, ndonjë psikolog, ta shpjegojë këtë dobësi të tij për të fortët). E pas shumë vitesh, atij deputetit do t’i ngrihej edhe një shtatore. Neve na pëlqen shumë t’u ngremë këngë e shtatore të fortëve. Gjatë vitit 1997, Dritëro Agolli, një poet ndër më të mirët, shkroi një poezi në nder të Zani Çaushit, një gangsteri që kishte marrë peng gjithë qytetin e Vlorës atëmot. Zani Çaushi është në burg prej asaj kohe. Ai do të harrohej një ditë, por është Dritëro Agolli që e ka përjetësuar në poezi. Në fakt, edhe sikur të mos kujtohej poeti, do kujtohej dikush tjetër që, në vend të poezisë a këngës, t’i ngrinte një shtatore. Neve na pëlqen shumë t’u ngremë shtatore tipave si ai.
Një karakteristikë e tretë e shqiptarëve është sensi i një vetëqortimi kolektiv. Si zor të gjesh në këtë botë një vend tjetër (ndoshta italianët?) kaq të vetëdijshëm mbi dobësitë e veta sa shqiptarët. Personalisht, në rrethana të caktuara më pëlqen që është kështu. Vetëqortimi mendoj se është më i fisëm sesa vetëpëlqimi. Por te ne shqiptarët vetëqortimi merr shpeshherë formën e vetëposhtërimit. “Ç’mund të presësh nga shqiptari?”, “shqiptar hesapi”, “punë shqiptarësh” etj., janë shprehje që përdoren fare pa të keq nga vetë shqiptarët gjatë bisedave të përditshme. Kjo sjellje merr herë pas here forma edhe më të rënda sesa kaq, nëpërmjet shprehjeve: “Ky vend nuk bëhet, ky vend është i dënuar nga Zoti, ky vend është i mallkuar etj”. Është e moçme kjo sindromë. Duhet të datojë qysh në kohët kur Perandoria Osmane ka qenë duke u rrëzuar, e kur shqiptarët e kanë pasur të kollajtë të bëjnë vëzhgimin se “ja, të tjerët po ringrihen në këmbë, po i krijojnë shtetet e kombet e tyre, po emancipohen, ndërsa ne nuk po gjejmë forcën për t’iu bashkuar atyre”. Më pas, ky kompleks dobësie kapi edhe pionierët e Rilindjes sonë kombëtare. Shprehjen “ky vend nuk bëhet”, ata e kanë nxjerrë, sidoqoftë. Në momente dëshpërimi. Dhe prandaj ka ndodhur që krahas luftës së tyre në favor të çështjes kombëtare, nuk e kanë pasur për gjë të shfryjnë pakënaqësi ndaj shqiptarëve, e të tallen me kombin e tyre. Fan Noli, Faik Konica, Gjergj Fishta, tre nga eksponentët më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, kanë qenë kritikët më të mëdhenj të shqiptarëve. Ne të sotmit vazhdojmë të ecim në gjurmët e tyre. Nuk lëmë gjë pa thënë për vendin tonë. Dhe kjo – kam frikë se është pikërisht kështu – bëhet shkak për një depresion kolektiv, që nga ana e vet prodhon një gjendje demotivimi e çmobilizimi. Një gjendje të tillë jemi duke e jetuar pikërisht në këto kohë. Janë të shumtë shqiptarët që duan ta lënë këtë vend. Një pjesë e tyre kanë tentuar të ikin në Gjermani a në vende të tjera të Europës. Të tjerë i kanë varur shpresat te Llotaria amerikane “Green Card” (nëse Donald Trumpi nuk do t’ua prishë planet). Ata që, për një arsye a një tjetër, vendosin të mos e lënë vendin, po presin që këtu ta bëjnë ndryshimin të huajt, ambasadorët. Kjo është arsyeja që “institucioni” më i besueshëm në vend sot për sot është ambasadori amerikan.
Ja edhe një karakteristikë tjetër (e fundit për këtë herë): Mungesa e idealeve. I vetmi ideal që ekziston është ai patriotik. Dhe është veç në saje të këtij ideali që në këtë vendin tim janë bërë ca punë të mëdha. Por edhe ky ideal bëhet pis herë pas here prej fanatizmit, e prej – e thashë më sipër – tribalizmit. Për ideale të tjera shqiptarët as që duan t’ia dinë. Dialektika demokratike këtu te ne nuk është midis të majtës e të djathtës. Jo, jo, nuk ka të majtë e të djathtë, sido që këto emërtime përdoren si shenja identitare. I vetmi dallim që ekziston është i natyrës historike: të djathtët flasin gjithë kohën kundër regjimit komunist, ndërsa të majtët nuk e fshehin simpatinë për atë regjim. Nuk është se nuk ndahen në drejtime të tjera. Ndahen që çke me të. Ndahen kur vjen puna te qëndrime të tyret mbi familjen, mbi shtetin, mbi kombin, mbi ekonominë, mbi terrorizmin, mbi besimin fetar, mbi shkencën, mbi moralin, mbi Perëndimin, mbi SHBA-të, mbi seksin, edhe mbi Harvey Weinstein-in në daç, por thjesht nuk u japin rëndësi këtyre ndarjeve. Nuk bëhen merak për to. Sepse meraku i tyre i vetëm është si të mbijetojnë, apo si të pasurohen. Dhe prandaj ndodh që, kur marrin pushtetin, mendjen e kanë të luftojnë për një Shqipëri të tyren, e jo për një Shqipëri më të mirë.
Unë pretendoj se këto janë karakteristika ekskluzive tonat. Apo janë edhe serbe?