Reagimi i shpejtë i njësive policore në Vushtrri ka rezultuar me parandalimin e një vepre penale të vjedhjes dhe arrestimin e tre personave të dyshuar për tri raste tjera të vjedhjeve.
Një informacion i pranuar në Polici rreth orës 01:00 të mesnatës së datës 23 nëntor 2017, ku thuhej se në rrugën “Ukshin Kovaqica” në Vushtrri, persona të dyshuar po tentonin të thyejnë një veturë, reagimi i shpejtë policor përveç parandalimit të veprës penale, ka arritur që jo larg vendit të ngjarjes në tentativë për të ikur fillimisht janë arrestuar dy të dyshuarit B. M., 17 vjeçar dhe G. M., 17 vjeçar. Pas procedimit me intervista dhe dyshimeve të ngritura është zbuluar dhe arrestuar edhe i dyshuari i tretë A. S., 15 vjeçar.
Nga hetimet e deritanishme bëhet e ditur se tre të dyshuarit, mbi provat e siguruara, dyshohen për kryerjen edhe të tri veprave tjera penale ‘ vjedhë të rënda’ raste këto të raportuara kohë më parë në zonën e Vushtrrisë.
Pas procedurave intervistuese nga ana e prokurorit të çështjes tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor.



















