Krimineli Mladic lajm kryesor në mediet botërore: “Bisha në lëkurë të njeriut”

E publikuar: 23/11/2017 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tribunali i Hagës e dënoi me burgim të përjetshëm kriminelin e luftës Ratko Mladic’in, ndërsa mediet më të njohura botërore e kanë transmetuar këtë si lajm kryesor
“Mladic’i është fajtor për gjenocid në Bosnjë”, është titulli i lajmit kryesor në sajtin e BBC, ndërsa lajmi kryesor i CNN titullohet: “Ratko Mladic është fajtor për gjenocid, u dënua me burgim të përjetshëm”, transmeton Express.

Edhe “Le Monde” ka publikuar informatën mbi dënimin e Mladic’it si lajmin më të rëndësishëm të ditës.

Përveç që e kanë publikuar aktgjykimin, mediet botërore lajmërojnë edhe mbi rrjedhën e gjykimit, ndërsa vëmendjen kryesore i japin momentit kur Mladic është përjashtuar nga salla e gjykimit.

Mediet në rajon e kanë përcjellë me vëmendje të posaçme rrjedhën e gjykimit dhe shpalljen e aktgjykimit, e natyrisht që portalet në Bosnjë dhe Hercegovinë janë përplot me tituj në lidhje me Mladic’in.

Në sajtin e “Dnevni Avaz’it”, përveç lajmit kryesor se Mladic është dënuar me burgim të përjetshëm, janë publikuar edhe tituj si: “Naser Oric ekskluzivisht për Avaz: Gjykata e tha të veten, Mladic duhet të përgjigjet edhe para popullit të vet”, “Grabovica: Mladic tregoi në gjykatë se çfarë frikacaku është”, Mehmedovic: Mladic është bishë në lëkurë të njeriut, më në fund erdhi koha të ndalet me mohimin e gjenocidit”…

“Kliks.ba” ka publikuar rreth dhjetë lajme dhe artikuj në faqen e vet kryesore mbi Ratko Mladic’in, dhe në mes të më të rëndësishmëve janë: “Transparenti për Ratko Mladic’in në Sarajevë: Edhe pa gjykim ne e dimë se ti je fajtor”, “Munira Subasic: Viktimat kurrë nuk do të jenë të kënaqur, do ta padisim Serbinë dhe Republika Serpskan”….
Radio-televizioni i RS ka publikuar si lajm kryesor aktgjykimin për Mladic’in dhe lideri i RS Milorad Dodik ka paralajmëruar konferencë për medie e cila do të mbahet në orën 15.

“Edhe mediet kroate e kanë përcjellë me vëmendje shpalljen e aktgjykimit në Hagë, kështu që lajmi kryesor në portalet “Index”, “Jutarnji list”, “Dnevnik”, “Vecernji list” … është burgimi i përjetshëm për Ratko Mladic’in me theksim se ai është shpallur fajtor për gjenocid në Srebrenicë”.

Mladic është arrestuar më 26 maj 2011, pas 12 viteve arrati dhe fshehje në Serbi, ndërsa në Hagë është ekstraduar më 31 maj.