Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim, Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, të cilin e ka njoftuar për reformat legjislative në fushën penale dhe civile, që kanë për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit dhe qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, ministri Tahiri vlerësoi rolin aktiv dhe pozitiv që Sllovenia ka pasur në Kosovë, edhe përmes angazhimit të anëtarëve të saj në organizata ndërkombëtare, EULEX, KFOR e OSBE, e që ka ndikuar në thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Tahiri theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit me Slloveninë sidomos në fushën e bashkëpunimit juridik në çështje penale dhe civile.
Ambasadori Bertoncelj u shpreh i kënaqur me reformat që po ndërmerren nga institucionet e Kosovës, dhe shprehu gatishmërinë për përkrahjen e mëtejme të Kosovës.



















