Mogherini flet për marrëveshjen me të cilën Serbia obligohet të rregullojë raportet me Kosovën

E publikuar: 16/11/2017 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së Federica Mogherini në një konferencë për media ka folur për fazën e re të dialogut Kosovë –Serbi duke thënë se për marrëveshjen, e cila e obligon Serbinë që të normalizojë raportet me Kosovën, me cka Beogradit do t’i hapej rruga për anëtarësim në BE, ende po zhvillohen konsultime.

Mogherini, e cila gjatë ditës ka mbajtur një konferencë për media bashkë me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabic dhe Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn u ka bërë thirrje dy palëve që të implementojnë marrëveshjet e arritura –marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjen për Energjinë.

E pyetur nëse “progresi cilësor” në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nënkupton nënshkrimin e një marrëveshjeje obligative, Mogherini ka thënë se për këtë po zhvillohen konsultime.

“Normalizimi është qëllimi i dialogut edhe pse ende është herët të flitet se në cfarë afate kohore do të arrihet kjo marrëeshje” ka thënë zyrtarja e lartë e BE’së.

Mogherini po ashtu ka thënë se ndryshimi i formatit, shpejtësia dhe agjenda e dialogut pritet të japë rezultate kualitative.

“Rezultatte dhe përmbajtja e fazës së re do të jenë të dukshme në momentin në momentin kur është e dobishme për dinamikën e fazës së re. Në këtë fazë për mua është e rëndësishme jo vetëm që të ndërmjetësoj por edhe ta mbrojë hapësirën dhe t’ua mundësojë palëve që të punojnë në fazën e re” ka thënë ajo.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic ka thënë se vendi i saj është i përkushtuar për dialogun me Prishtinën ndërkohë që u ka bërë thirrje akterëve në Serbi të marrin pjesë në dialogun e brendhëm.

Brnabic ka thënë se Prishtina duhet formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në mënyrë që dialogu të vazhdojë më pas.