Skepticizëm e mosbesim e ka përcjellë procesin e krijimit të Gjykatës Speciale si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët. Shqiptarët e konsiderojnë monoetnike e diskriminuese dhe nuk besojnë se mund të bëjë më tepër se UNMIK’u e EULEX’i, ndërkohë që serbët shfaqin të tjera dyshime.
Raporti hulumtues “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: Rreziqet dhe mundësitë”, i realizuar nga Integra, CPT, PAX dhe Impunity Watch ka nxjerrë se shumica e shqiptarëve këtë gjykatë e shohin të padrejtë, e shumica e serbëve konsiderojnë se ajo ka pak gjasa që të sjell drejtësi.
Tash kur është paralajmëruar se aktakuzat e para nga gjykata mund të publikohen në fillim të vitit të ardhshëm, mosbesimi vetëm sa mund të shtohet. Nëse Gjykata Speciale do të ndjek ish-ushtarë të UÇK’së, disponimi anti saj do të rritet në mesin e shqiptarëve. E zhgënjimi i serbëve do të shtohet nëse gjykata nuk do të shqiptojë dënime “të merituara”.
Ndërkohë, keqinformimi për mandatin e gjykatës vazhdon të jetë evident, ashtu si dhe vetëdijesimi i ulët i qytetarëve për të.
Sipas raportit hulumtues, më shumë se një e treta e shqiptarëve dhe gati një e pesta e serbëve besojnë se gjykata do t’i ndjek penalisht krimet që lidhen me korrupsion dhe krim të organizuar. Është e domosdoshme që të bëhet sa më e qartë se mandati i kësaj gjykate mbulon vetëm krimet e identifikuara në raportin e Dick Martyt.
Po ashtu, duhet qartësuar mirë se gjykata nuk do të ndjek ish-UÇK’në, por vetëm individë që mund të kenë kryer krime. Lufta e UÇK’së ishte e drejtë, si çdo luftë për liri, por jo e pastër, si çdo luftë tjetër në botë. Keqkuptimet, qoftë edhe të paqëllimshme, mund të dëmtojnë rëndë kredibilitetin e gjykatës.
* * *
Krimet duhet ndëshkuar, pa marrë parasysh se kush i ka kryer. Rezultatet e raportit hulumtues tregojnë se shumica e shqiptarëve dhe serbëve besojnë se është mirë që të trajtohen të gjitha krimet ndaj civilëve gjatë dhe pas luftës.
Gjykata Speciale nuk do të merret me të gjitha krimet, por ajo mund të sjell drejtësi të paktën për një numër vitimash.
As shqiptarët, as serbët nuk duhet mohuar krimet. Po ashtu, vetëviktimizimi nuk është zgjidhje dhe fyen dinjitetin e viktimave. Viktimat nuk njohin etni.
Shqiptarët, me të drejtë, mendojnë se krimet e regjimit të Beogradit ndaj tyre nuk janë adresuar si duhet. Përgjegjësia për këtë është e institucioneve kosovare, por edhe e atyre ndërkombëtare që kanë pasur dhe ende vazhdojnë të kenë mandat në këtë fushë.
Por, kjo nuk duhet kurrsesi të ndikojë në adresimin e krimeve ndaj civilëve të etnive të tjera.
Kundërshtarët e Gjykatës Speciale pretendojnë se ajo delegjitimon luftën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Por, kjo nuk qëndron. Lufta ka qenë e drejtë, por ata që e kanë përlyer dhe keqpërdorur atë me çfarëdo veprimi duhet ndëshkuar. Në këtë mënyrë kjo luftë vetëm sa legjitimohet edhe më shumë dhe pastrohet nga dyshimet që e kontestojnë legjitmitetin e saj.
* * *
Raporti hulumtes “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” nxjerr në pah edhe faktin se besimi i publikut në mbrojtjen e dëshmitarëve është i ulët. Autorët e raportit
rekomandojnë se fokusi duhet të drejtohet tek masat mbrojtëse për dëshmitarët, që dallojnë nga ato që lidhen me praktikat e mëhershme nacionale e ndërkombëtare.
Prokurori i Gjykatës Speciale David Schwendiman është zotuar së fundi se do të bëjë gjithçka që është e mundshme që të mbrojë dëshmitarët, të cilët mund të jenë në rrezik nga gjithçka – që nga vdekja e deri tek frikësimi apo detyrimi, ryshfeti e forma tjera të ndikimit dhe përpjekjes për të korruptuar dëshminë e tyre. Kjo është një porosi e rëndësishme për të gjithë ata që pretendojnë t’i pengojnë dëshmitarët në proces dhe duhet t’i bëhet e qartë publikut, si garanci për proces të drejtë dhe fer.
Ndërkohë, mbështetja institucionale për mbrojtjen e të akuzuarve është problematike. Perceptimi i shumicës së të anketuarve për nevoja të raportit hulumtues është se atyre duhet ofruar ndihmë financiare. Por, kjo nuk është e drejtë.
Dhjetëra pjesëtarë të shoqërisë civile qysh në vitin 2015 kishin ndërmarrë iniciativën kundër përdorimit të taksave të qytetarëve për mbrojtjen e personave të akuzuar. Arsyeja është e thjeshtë: lufta për çlirimin e Kosovës ka pasur qëllim fisnik e të drejtë dhe si rrjedhojë ka qenë e pastër dhe legjitime. Krimet e supozuara të kenë ndodhur janë krime të individëve, e jo të popullit, jo të Kosovës.
Siç edhe është një ndër rekomandimet që del nga raporti hulumtues, puna e Gjykatës Speciale duhet vendosur në një kontekst më të gjerë të implikimeve të saj për të ardhmen e Kosovës. Përtej skepticizmit e mosbesimit, këtë gjykatë duhet parë si përpjekje për të vënë drejtësi për viktimat që kanë pësuar në një periudhë të caktuar.
Më e rëndësishmja është të vihet në vend drejtësia për viktimat. Është tjetër çështje se çfarë efekti do të kenë vendimet e gjykatës në procesin e pajtimit. Pa drejtësi për të vdekurit nuk mund të ketë as pajtim ndër të gjallët.