Emërimi i afër 60 zëvendësministrave nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po e sfidon edhe Ministrinë e Administratës Publike, e cila sipas ligjit obligohet që për çdo zëvendësministri t’i sigurojë hapësira, dhe automjete.
Këtë dhe shumë sfida të tjera i paraqit sot ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.
“Sa i përket zëvendësministrave. Unë nuk jam përgjegjës për këto çështje, por Qeveria. Për mua është sfidë, stafi përcjellës janë duke kërkuar hapësira, ose automjete. Për neve është një sfidë është një çështje jo e lehtë. Po do të mundohem me ju përgjigj si duhet”, ka thënë ai, raporton KP.
Shqipe Pantina, anëtare e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë pyetjeve e ka cituar raportet ndërkombëtare ku si problem është politizimi i administratës publike dhe e ka pyetur ministrin për masat që do t’i marrë për depolitizimin e administratës publike.
“Politizimi i skajshëm i administratës publike. Mungesë e kapaciteteve profesionale. Mungesë apo linjë jo e qartë e llogaridhënies. Pra, janë disa nga çështjet që i thekson raporti i progresit. Po ashtu neve nuk na u është dhënë mundësia me diskutuar programin qeverisës, pjesën e administratës publike. Cilat janë masat hapat çfarë do të bëni në këtë mandat të ri për ta depolitizuar administratën që do të thotë është nja nga vërejtjet, kriteret e BE-së”, tha Pantina.
Ndërsa ministri Yagcilar, ka thënë se kritikat e BE-së janë kritika për të gjithë dhe se nuk është vetëm ministrinë që ai e drejton. Ai po ashtu iu është përgjigjur edhe pyetjes së Imet Rrahmani, anëtar i Komisionit nga LDK-ja, i cili ka kërkuar të di nga ministri rreth rregullimit të bazës ligjore për pagat.
“Në këtë moment në Kosovë nuk ekziston një ligj për pagat. Ekziston ligji për nëpunës i cili nuk zbatohet. Por si ligj nuk ekziston. Edhe është tentimi, kërkesa e Komisionit Evropian, edhe në agjendën evropiane që të aprovohet një ligj për pagat, i cili do të krijojë një barazi, kërkon që të realizohet parimi paga e njëjtë për punën e njëjtë. Mos të vijmë në situatën që nëpër komuna ose në institucione të ndryshme për të njëjtën koeficient të ndryshme ose paguhen ndryshëm. Ligji nuk zbatohet në aspektin e pagave. Është një dilemë e madhe. Po janë disa ligje të cilat nuk janë në harmoni”, tha Yagcilar.
Po ashtu gjatë raportimit ministri është pyetur nga kryetari i Komisionit, Nait Hasani lidhur me atë se për cilën arsye Bashkësia Islame është e regjistruar si OJQ në Kosovë.
“Bashkësia Islame nuk ka të drejtë të përfitojnë nga lirimi i doganave për shkak se është organizatë jo qeveritare . Nuk mund t’i regjistrojnë makinat e veta në emër të vetin. Çështja është se në Kushtetutë vetëm i njohët e drejta e statusit juridik, vetëm Kishës katolike dhe ortodokse jo Bashkësisë Islame. Bashkësia Islame është hala në Kosovë vetëm si OJQ”, tha Hasani.
Por për këtë çështje, ministri tha se nuk mund të ndërhyjë dhe e ka quajtur çështje madhore.
“Për këto çështje është ligji edhe ne nuk dëshirojmë të ndërhymë në këto çështje madhore . Nuk është kompetenca jona. Tash është propozuar një ligj tjetër, sa i përket këtyre çështjeve besoj që do të realizohet po në këtë rast ne si MAP nuk merremi me këto çështje”, tha Yagcilar.
Yaglcilar, po ashtu ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit edhe numrin e veprimtarive të OJQ-ve, shoqatave, fondacioneve. Në bazë të evidente që kanë në data bazën e departamentit për organizata joqeveritare prej vitit 1998 deri më datën 7 nëntor të këtij viti janë regjistruar 9 mijë e 488 OJQ. Aktive janë 9 mijë e 334, 131 janë të shuara, 23 janë pezulluar, ku prej tyre janë vendore 8 mijë e 952 , ndërkombëtare 531, shoqata janë 8 mijë e 605, fondacione 347, ndërsa OJQ me statusin e përfitimit publik janë 237.
Ai po ashtu ka thënë se kanë hyrë në fazën e ndryshimit të ligjit dhe së shpejti do të procedohet ligji i ri për OJQ-të. Po ashtu, në kudër të reformave do të aprovohen tre ligje strategjike, ligji për shërbimin civil, ligjin për organizimin administratës publike dhe ligji për pagat nga buxheti i Kosovës.