Kur shikimet tuaja kryqëzohen me mall dhe dashuri, është edhe një shikim tjetër që bie mbi ju me dashakeqësi
Më 2 maj 1999 (kam dëgjuar diku se kur një lexues gjen në një tekst një datë të caktuar, të të kaluarës, rrëmon menjëherë të gjejë ku ka qenë ai vetë atë ditë, në cilën anë të rruzullit tokësor, çfarë ka qenë duke bërë, çfarë ka ndier, çfarë ka ëndërruar), një ofensivë e forcave serbe i kishte bërë civilët shqiptarë, të grumbulluar nëpër male, ku e kishin kaluar dimrin, në të ftohtë e uri, sëmundje e dëshpërim, të zbrisnim në fshatrat tona, me qëllim që prej aty t’i deportonin pastaj për në Shqipëri, apo në vend e tjera fqinj, siç kishin bërë tashmë me shumicën e banorëve të vendbanimeve përreth.
Unë isha ndarë nga familja ime kohë më parë. I isha bashkëngjitur ushtrisë sonë çlirimtare jo për të luftuar, por thjesht për t’u ndier një çikëz më i sigurt se sa në mesin e civilëve. Meqë nuk doja të luftoja, zgjodha të punoja kuzhinier, edhe pse nuk ia kisha haberin asaj pune. Megjithatë, ia mora dorën shumë shpejt. Nuk është se ishim në ndonjë hotel luksoz. Shumicën e kohës detyroheshim të hanim patate e gjellë të thjeshta; ndonjëherë, kur na printe fati, na binin në dorë bagëtitë e lëna të lira fushave e maleve pas shpërthimit të luftës. Por, nuk është se na ndodhte shpesh. Forcat serbe i vrisnin për qejf dhe për të mos na i lënë neve për nevojat tona. Kudo fushave, shtigjeve, maleve gjeje kufoma të tyre të lëna shkret.
Po e kundroja nga një pyllëz zbritjen e civilëve në fshat kur më zunë rob forcat serbe. Nuk di ta shpjegoj pse e braktisa fushimin tonë, i vetëm. Nuk di ta shpjegoj si më zunë, si erdhën ashtu deri afër meje pa bërë as më të voglën zhurmë. Më herët kisha dëgjuar që disa nga tanët ishin përvjedhur natën kështu deri te llogoret e forcave serbe dhe kishin rrëmbyer policë, por, thënë të vërtetën, nuk është se kisha besuar fort një gjë të tillë. E tëra më dukej një sajesë e patëkeq, ja, asgjë më shumë.
Vras mendjen, prej atëherë, t’i bie në të një gjëje. A ishte e domosdoshme të ndodhte ashtu, apo e tëra ishte e rastësishme. Sepse, nëse ishte e domosdoshme, dreqi e mori, nuk kam pse të ankohem. Do të thotë se kishte një arsye, edhe në qoftë ajo përtej zotësive të mia të kuptimit, pas tërë asaj dhe unë thjesht duhet të pajtohem. Ama, më dëgjoni mua, ama, nëse e gjitha ishte një rastësi e pastër, atëherë kjo nënkupton se njeriut ndonjëherë i bie hise të jetë qenia më fatkeqe dhe e braktisur mbi faqe të dheut. Më falni, në të vërtetë unë mendoj të jetë kjo. Sidoqoftë, nuk është se kjo më dëshpëron më shumë se ndonjë gjë tjetër. Bile, shpesh, më shumë më dëshpërojnë ca gjëra krejt të kota. Çfarë po dua të them është krejt kjo: ne jemi qenie fatkeqe. Duhet të pajtohemi me këtë. Të pajtohemi që pastaj të mund të kuptojmë, shpjegojmë dhe reagojmë. Është e dhimbshme të dish se krijues i fatkeqësisë tënde (pavarësisht se a e ka bërë vetë ai si një i plotfuqishëm, apo vetëm ka qenë vegël e vullnetit të një fuqie të mbinatyrshme), është thjesht njëri që, në rrethana të tjera, kushedi, mund të kishte qenë i dashur, i afërt, i dhembshur, mbështetës dhe shpëtimtar yti.
Kështu më ndodhi mua. E kuptoni ku dua të dal? Tash do ta shihni.
Një grup prej tre policësh më çoi poshtë ku ishin vendosur një pjesë e forcave serbe, në pritje të karvanit të civilëve që po zbrisnin poshtë nga të tri anët. Tërë kohës së zbritjes e kisha bindur veten se ky ishte fundi im dhe vetëm pritej nga çasti në çast kur do të më pushkatonin. Nuk ndodhi gjatë zbritjes. Kur ramë poshtë dhe kur kuptova se do të më bashkonin me civilët, edhe frika dhe bindja se do të më vrisnin nuk m’u hoq, më tepër rashë pre e një shqetësimi të papritur dhe të pakuptueshëm: tani do të vinin të mitë dhe do të më shihnin duarlidhur, në prag të ekzekutimit, do të më ekzekutonin në sytë e tyre, e mendime të tjera. Nuk duhej të më vrisnin para tyre, i thosha vetes, nuk duhej ta merrnin vesh ata. Vetëm kaq. Asgjë më shumë.
Im atë ishte heroi im. Nuk po them thjesht një fjalë goje. Mbase kështu është për të gjithë, sidomos për të rinjtë. Unë nuk jam i ri më. Nuk isha i ri, pra, kur më ndodhi fatkeqësia.
Nëna ime, por kjo nuk e zbeh aspak rëndësinë e saj, ndoshta nuk ishte një heroinë imja në shkallën që ishe babai. Mirë. Ama, të më vrisnin para saj, të më shihte teksa shembesha në tokë nga breshëria e plumbave si një thes plaçkash, o perëndi, mos e lejo këtë, lutesha. Çfarë poshtërimi. E mandej motrat, dy motrat e mia që kishin pasur tek unë gjithmonë objektin pothuajse më sublim të dashurisë.
Së pari e shqova time më të kapur për krahësh nga motrat e mia, e madhja në të djathtë, e vogla në të majtë. Pas tyre vinte im atë, duke e shtyrë një karrocë gome në të cilën ishte kruspullosur miku i tij i një jetë të tërë, i paralizuar pak para lufte.
Më panë, pothuajse përnjëherësh.
Ndjeva se atyre më shumë se mua iu prenë këmbët.
Pikërisht në atë çast, pikërisht në atë çast, po e përsëris, pikërisht në atë çast (një çast më herët, ose një çast më vonë gjithçka do të kishte qenë ndryshe; ai, xhelati, nuk do të na kishte parë, ne do të ishim futur brenda turmës dhe do ta kishim ndarë fatin e saj), pikërisht në atë çast kur shikimet tona u kryqëzuan, një shikim tjetër, nga anash, i huaj, ra mbi ne. Mbi të gjithë ne; vetëm kështu kishte kuptim, mbi mua, tim atë, nënën time dhe motrat e mia, përnjëherësh, përndryshe as që do t’i kishte interesuar, sikur t’i kishte parë ca insekte duke u zvarritur në mjerimin e tyre ekzistencial. Ishte fqinji ynë, Zoran Vukotiq, bashkëmoshatari im, i cili prej vitesh ishte kthyer në tmerrin e ne shqiptarëve, bashkëqytetarëve të tij. Pas plasjes së luftës e kishte lënë punën në gjykatë, u ishte bashkuar forcave rezerviste të policisë serbe dhe kishte ushtruar terror të vazhdueshëm mbi civilët nëpër qytet dhe mbi të burgosurit në burgjet në qytet, ku vepronte si gardian vullnetar. E njihnim të gjithë, na njihte pothuajse të gjithëve. Krah tij qëndronte Goroljub Paunoviq, i njohur si postieri, ai që kishte vënë në qarkullim atë fotografinë e famshme, që kishte bërë xhiron e botës, ku shihej duke e prerë në fyt një të ri. Më vonë doli se i riu ishte serb, pra jo shqiptar, dhe qëllimi i inskenimit kishte qenë që të futej tmerr në mesin e popullatës shqiptare. Madje-madje, propaganda serbe do ta përdorte fotografinë edhe më vonë, ndër dekada, për t’i mohuar krimet e vërteta ndaj civilëve. Shikoni, do të thoshin, nuk janë krime të vërteta, janë vetëm skena teatrale që janë luajtur nga forcat tona nga kotësia dhe naiviteti, apo nëse njëmend doni të këmbëngulni ashtu, për t’i vënë në lajthitje armiqtë, të cilët, falë Zotit, nuk janë të paktë, të paktën jo më të paktë, falë Zotit, se miqtë.
Zoran Vukotiq u vu mes nesh. Fytyra e tij shprehte habi. Për një moment, më ndjeftë Zoti, mendova – dhe u gëzova – se ai përbindësh, që kishte shkatërruar aq jetë këtyre muajve të luftës, do të ndiente pak mëshirë për ne fqinjët e tij më të afërt dhe do të na shpëtonte. Në fatkeqësi – a nuk thonë kështu – njeriu e pranon edhe jashtëqitjen për ilaç, edhe duke e ditur se është vetëm jashtëqitje.
«Dan Berisha», iu drejtua babait tim. «Qenke lodhur, ë?».
Im atë psherëtiu lehtë. Më gjesë deshi të thoshte ndonjë gjë.
«Ejani këndej», i urdhëroi një herë time më e motrat, pastaj tim atë dhe mua. Na bashkoi. Anash turmës. Pastaj e urdhëroi policin që më ruante mua të m’i zgjidhte duart. Desha të avitem te babi im t’ia merrja karrocën.
«Prit pak», tha Vukotiq. U avit dhe i hodhi një shikim njeriut në karrocë, mikut më të madh të tim eti. «Po tregohesh shumë i padrejtë me mikun tënd, zoti Krasniqi», i tha dhe papritur nxori revolën dhe e qëlloi në kokë.
Nëna dhe motrat e mia ia dhanë vajit të llahtarisura. Babain tim e lëshuan këmbët. Desha ta ndihmoj të ngrihet në këmbë.
«Rri aty», më kërcënoi Vukotiq. «Terrorist i mutit», nisi të më shajë. Ma shau me babë e nënë e motra. Me fe e atdhe. Shumë herë, thua se nuk mund ta ndalte veten. Sa më shumë që më shante, aq më shumë tërbohej.
«Çka mendonit, se do të shpëtonit?», na çirrej para fytyrës, herë mua, herë babait e herë nënës dhe motrave.
Kërcente, ndalej, mendohej.
«Afrohuni këtu ju dy», na urdhëroi.
Im atë shkoi pranë tij. Edhe unë. Na vuri përballë njëri-tjetrit.
«Tash», më tha «qëlloje shuplakë».
E kuptova fare mirë çfarë po më kërkonte, e megjithatë mbeta i shtangur. Duke e parë mosreagimin tim, Vukotiq hoqi armën nga krahu dhe u bë gati të më godiste me kondak.
«Qëllomë», më urdhëroi babai im. Ishte fjala e parë që ma drejtonte prej se ishim ndarë.
Luajta kokën, rëndueshëm, për t’i thënë se nuk mundesha.
«Mos u bëj budalla. Do të të vrasin», më tha, i vendosur.
Pashë nga nëna ime. Pashë nga motrat e mia. Ato e kishin ulur kokën. Nëna shikonte kah unë, e përhumbur.
«Qëlloje». Kondaku i pushkës valëvitej në ajër, sipër kokës sime.
E qëllova. Lehtë dhe ngathët.
Një grusht më erdhi pas koke si rrufe. Ishte Paunoviqi.
«Më fort», më bërtiti.
E qëllova më fort.
«Edhe më fort».
Edhe më fort.
«Tash, me grusht».
Refuzova një copë kohë. Nisën të më rrihnin që të ma mbushnin mendjen të vazhdoja. Nuk u desh shumë.
U ndreqa mirë në këmbë. E luajta dorën në ajër, si boksieri kur ngrohet. Për dallim nga hera e parë, e shuplakës, e qëllova bukur fort grusht. Ai u lëkund për një çast, si pemë e shkundur. Kurrë në jetën time nuk isha rrahur me njeri të gjallë, kurrë në jetën time nuk isha rrahur me grushte. Sidoqoftë, e kisha pak a shumë idenë se si duhet qëlluar dhe e shfrytëzova pikërisht atë ide për ta qëlluar babanë tim. Për një moment mendova se nuk qenkam edhe aq i keq në atë punë.
«Baba», i thashë «kurrë në jetën tënde nuk më ke rënë, as edhe njëherë të vetme».
«Po, bir», më tha «gjithmonë më është dukur vetja si të isha një qenie e pa duar».
Përpiqesha të mos e shikoja në sy. Do të shpërqendrohesha. Pas grushtit të tretë, e ndjeva dorën të etur.
«Baba», i thashë «A e kam dorën e rëndë?».
«Po, bir», më tha «e paske një dorë të rëndë».
Im atë rënkonte dhimbshëm. Ishte më tepër një rënkim gjëme.
Në grushtin e dhjetë u mbulua nga gjaku.
Dikush nga civilët që po lëviznin në kolonë papritur u rrëzua pranë nesh. Vukotiq iu avit, ia mbështeti tytën e armën në kokë dhe e zbrazi një plumb të vetëm.
U ul mbi kufomën dhe vazhdoi të merrej me ne.
«Tash, me shqelma», na urdhëroi.
E mora shtruar.
«Baba», i thashë «Ty po të dhemb tani, unë do ta ndiej tërë jetën».
«Po, bir», më tha «ky ishte qëllimi».
Pas nja shtatë a tetë goditjesh, im atë ra në tokë, i dërrmuar. Rashë edhe unë.
Atëherë Vukotiqi u avit, zgjati kokën dhe na pështyu të dyve.
«A e shihni sa të ulët jeni?», na tha.
Ndërkohë, pak më tutje, disa policë po i detyronin pleqtë dhe gratë të vallëzonin. Vëmendja e tyre ishte përqendruar më tepër te të moshuarit, sidomos ata që mezi lëviznin. Kur mbaronin, i urdhëronin ta puthnin një kryq tepër të madh, të cilin e barte të varur në gjoks njëri prej policëve. Pasi mbaruan me vallëzimin, polici me kryq e vazhdoi argëtimin për hesap të vetin, duke u futur në mes të turmës dhe duke i detyruar të madh e të vogël ta puthnin kryqin. Çirrej e përjargej.
Turma u zmadhua sa dukej si një kalvar biblik. Nga bishti nuk shihej koka, nga koka nuk shihej bishti. Pasi nisi të errej, forcat serbe urdhëruan kolonën të marshonte drejt qytetit. Policët që qëndronin anash herë pas here drejtonin pushkët kah turma dhe qëlloni mbi personat që i kishin afër.
Kufomat mbeteshin mbrapa, në tokë. Askush nuk guxonte të mbetej mbrapa të merrej me varrosjen e tyre. Kufoma njerëzish dhe kafshësh, të lëna shkretë në të njëjtën mënyrë.
Pas këtyre vrasjeve dhe keqtrajtimeve, askush më nuk besonte se do të na deportonin në Shqipëri, Maqedoni, apo kudo qoftë. Mendja na thoshte se do të na rrasnin në ndonjë kamp, ose do të na përdornin si mburojë të gjallë te caqet e bombardimeve të forcave ndërkombëtare. Kështu flitej.
Rrugës disa herë mendova dëshpërimisht të gjeja një mundësi të ndahesha nga prindërit dhe motrat e mia. Nuk më bënte më zemra të qëndroja pranë tyre. Nuk do të mund të jetoja më kurrë në mesin e tyre.
Në një rast të tillë zakonisht thuhet: do të doja të kisha vdekur. Ama, jo, unë nuk them ashtu. Nuk them se më mirë do të ishte të kisha vdekur. Unë them se nuk duhej të ndodhte. Nuk duhej të më vënin në një situatë të tillë. Nuk duhej.
Më vonë, duke e shoshitur mirë gjënë (kisha pasur kohë me bollëk: forcat serbe më kishin dërguar po atë natë në burg, e mandej, ditën e ikjes së tyre nga Kosova, bashkë me mijëra të tjerë më kishin marrë edhe mua për të më mbajtur në burgun e Pozharevcit gati një vit e gjysmë, derisa më liroi Kryqi i Kuq), erdha në përfundimin se asgjë nuk ndreqte punë ta shkoja kohën duke u ankuar. Nuk duhej të ndodhte, topi s’e luan, por kishte ndodhur. Andaj duhej tash ta pranoja faktin dhe të vazhdoja tutje, i vetëdijshëm dhe i pajtuar, duke e bartur njerëzisht mbi supe barrën e asaj fatkeqësie. Nuk mund të ikja.
Kur u ktheva në vendlindje, i thashë vetes: mirë, unë jam i biri që e ka rrahur babanë. Unë jam atërrahësi. Duhet të jem këtu ku përkas.
Një ditë më pas im atë vdiq, nga një sulm në zemër.