Arrestohet gjyqtari, dyshohet se favorizoi një vendim penal në këmbim të vlerave monetare.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë sot se, ‘në datë 9 nëntor 2017, rreth orës 23:30, Sektori për Hetimin e Korrupsionin në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Një vrasje e dytë”.
Në këtë operacion u ndalua shtetasi Shkëlqim Miri, 46 vjeç, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë’.
Ndalimi i tij u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Grupi hetimor kishte krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkallës së Parë e ka deklaruar fajtor autorin dhe dënuar me 20 vjet burgim. Në Gjykatën e Apelit Tiranë është ndryshuar klasifikimi i veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë” dhe aktualisht autori është liruar nga burgu.
Në këtë operacion, në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.
Në kontrollin e banesës me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.
Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kundra-ligjore.