Zyrtarja policore e akuzuar për marrje ryshfeti kundërshton aktakuzën

E publikuar: 08/11/2017 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarja policore, Lindita Haxhaj, e cila së bashku me zyrtarin tjetër policor, Kujtim Kryeziu, akuzohen për marrje ryshfeti, të mërkurën, gjatë shqyrtimit të dytë, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka kërkuar që aktakuza ndaj saj të hudhet si e pabazë.

Mbrojtësi i të akuzuarës Haxhaj, avokati Ruzhdi Berisha, ka thënë se nuk ka prova të mjaftueshme për të formuar dyshimin e bazuar mirë se klientja e tij, ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, transmeton Lajmi.net.

Berisha ka shtuar se e mbrojtura e tij, kur ka dalë nga stacioni policor, ka pasur me vete 5 euro dhe për të vërtetuar një gjë të tillë, ka propozuar të dëgjohet zyrtari policor, Muhamet Ilazi. Për më tepër, ai ka thënë se vetë veprimet e të akuzuarës, të cilat përmenden në dispozitiv të aktakuzës, nuk përbëjnë vepër penale.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Blerim Mazreku, ka deklaruar se nuk ka parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës, sepse ka bërë kërkesë në prokurori që të hyhet në marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Mazreku ka thënë se ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare rreth kërkesës, por se prokurori e ka njoftuar atë direkt se nuk është i interesuar të hyjë në marrëveshje, sepse vepra është në bashkëkryerje, andaj nuk mund të arrihet marrëveshja vetëm me njërin prej të akuzuarve.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar që kërkesa për hudhje të aktakuzës të refuzohet sepse, sipas tij, aktakuza është e bazuar në prova të pranueshme dhe në dëshminë e të dëmtuarit Sinan Gashi, i cili gjatë mundësisë hetuese të veçantë ka treguar ngjarjen.

Sefa ka thënë se krejt aktakuza vërtetohet edhe nga i akuzuari Kujtim Kryeziu, i cili, sipas prokurorit, gjatë dhënies së dëshmisë në prokurori ka treguar se të dëmtuarit ia ka marrë 15 euro dhe prej atyre parave, 5 euro ia ka dhënë të akuzuarës Lindita Haxhaj.

Ndryshe, zyrtarët policorë Kryeziu dhe Haxhaj, akuzohen se më 3 shkurt 2017, në Prizren, kanë ndaluar një qytetar për kundërvajtje dhe nga i njëjti kanë kërkuar ryshfet për të mos i shqiptuar dënimin me gjobë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kujtim Kryeziu i ka thënë qytetarit të ndaluar që të vendosë 15 euro në librezën e makinës dhe t’ia sjellë atij. Pasi që qytetari ka vepruar sipas udhëzimeve, ai është liruar të vazhdojë rrugën pa u dënuar. Kujtim Kryeziu, nga paratë e marra, ia kishte dhënë 5 euro të akuzuarës Lindita Haxhaj.