Dje është raportuar se punëtori 31 vjeçar nga komuna e Istogut, me inicialet G.L., ka vdekur si pasojë e lëndimeve në vendin e tij të punës.
Kjo është vdekja e 16-të në vendin e punës, e raportuar vetëm për këtë vit. Koalicioni Për Drejtësi Sociale, shpreh shqetësimin e tij të thellë për heshtjen institucionale dhe publike lidhur me këto raste tragjike që godasin jetët e qytetarëve dhe familjeve të tyre.
Raportimet e mjaftuara me shifra, të pashoqëruara më të dhënat e kompanive dhe raporteve publike zyrtare, si dhe mungesës së reagimit dhe masave konkrete të përgjegjësisë, tregojnë për një situatë alarmante përtej çdo etike e vlere humane. Nga të gjitha rastet e raportuara, deri më tani nuk ka as edhe një të dhënë se ndaj një punëdhënësi apo kompanie është kryer ndjekje penale.
Koalicioni Për Drejtësi Sociale u bën thirrje të gjitha institucioneve publike përgjegjëse që të mobilizohen në nivel kombëtar dhe të adresojnë me urgjencë rastet e pësimeve me jetë në vendin e punës, të thërrasin në përgjegjësi organet e mbikëqyrjes, implementimit dhe ndjekjes penale, dhe të identifikojnë hapat konkret që çojnë në parandalimin e humbjeve me jetë të punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Koalicioni për Drejtësi Sociale u themelua në vitin 2015, më qëllim të veçantë për të ndikuar dhe avancuar drejtësinë sociale në Kosovë.me anëtarë: Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office – FES, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, Olof Palme International Center, OJQ Lens, Instituti Columbus, Partners Kosova, Leadership and Growth Council – LGC, transmeton Klan Kosova.


















