Saimir Tahiri apo shoferi i tij, kush ishte në makinë me Sotën?

E publikuar: 07/11/2017 09:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kërkim të shoferit të biznesmenit të ri që u kap në Elbasan me patentat e Saimir Tahirit në makinë!

Kjo duket se është puna më e re e prokurorisë së krimeve të Rënda, të cilat tashmë ia kanë marrë çështjen Prokurorisë së Elbasanit, pasi kanë bërë me dije se kjo prokurori ka shpallur moskompetencë. E ndërsa bëhet fjalë për një hetim të zgjatur që do të vijë në organit hetimor kompetent, mësohet se ditën e djeshme ngjarja, që është në kufijtë e skandalit, të ketë marrë një rrjedhë tjetër. Është emri i një të riu që ka dalë si person që ka qenë në vendin e ngjarjes. Më saktë në makinën me të cilën udhëtonte djali i Lefter Sotës. Personi, që sipas të dhënave quhet Leonard Almeta, është afër 30 vjeç, nga Tirana, dhe pretendohet se është i punësuar pranë familjes Sota dhe në rastin konkret ka shërbyer si shofer i Orest Sotës.

Por janë të dhëna të tjera komprometuese të cilat bëjnë me dije se në mjetin që drejtonte djali i biznesmenit, i cili rezulton edhe vetë si biznesmen, nuk ka qenë ky person, por një tjetër. Të dhënat janë të ndara për dy personazhe; shoferi i Tahirit njëra palë dhe pala tjetër aludon për praninë e vetë ish-ministrit në atë mjet. Sipas burimeve hetimore bëhet me dije se në fakt informacionet e para kanë ardhur për shoferin e vetë Tahirit, i cili ka qenë brenda mjetit, por fakti që policia në momentin që e ka ndaluar “Range Rover”-in e Sotës në “Kurum” dhe ai nuk është gjendur brenda, atëherë është menduar se djali i biznesmenit ka qenë i vetëm.

Por të dhënat që lidhen me të këtë fakt vijnë nga prokuroria dhe informatorë të cilët kanë dijeni nga ai moment që mjeti ka mbërritur në portën e “Kurum”-it. Nga aty mësohet se dikush ka zbritur në tokë nga dera e pasme e mjetit, ka shtyrë portën e hekurt dhe është larguar në errësirë. Ndërsa makina e Orestit ka hyrë brenda. Po ashtu, brenda një harku kohor të shkurtër ka mbërritur edhe policia, së cilës ia ka hapur derën punonjësi i “Kurum”-it.

Misteri i shoqëruesit të Sotës

Janë një sërë të dhënash që implikojnë njeriun që gjendet më pranë Saimir Tahirit prej shumë kohësh. Mësohet se ai është shoferi personal i tij dhe i familjes së tij ndërsa mësohet se natën e 1 nëntorit ai ka qenë në mjetin me të cilin udhëtonte Orest Sota. Janë burime konfidenciale që kanë saktësuar mbajtjen në përgjim të këtij personi dhe se ka qenë pikërisht ky veprim i bërë ndaj të gjitha lidhjeve të Saimir Tahirit që ka zbuluar udhëtimin e tij në drejtim të Vlorës dhe më pas edhe kthimin për në Elbasan e më pas hyrja në Tiranë. Dyshimet e para flasin se sinjali ka ardhur tek postblloku i parë në Elbasan konkretisht nga Tirana për të bërë të mundur ndalimin e mjetit me të cilin udhëtonte Orest Sota, i cili gjendej në atë mjet pa leje drejtimi, leje që ia kishte bllokuar policia në dy shkelje të rënda që kishte bërë në kohën që e drejtonte Minsitrinë e Brendshme konkretisht, Dritan Demiraj.

Po ashtu sipas të dhënave policore, grupi i parë i policisë rrugore që ka tentuar ta ndalojë në hyrje të Elbasanit ka shquar në timon konkretisht Sotën, për të cilin tashmë ka edhe në raport shërbimi. Por janë burime të tjera hetimore, të cilat tregojnë se ka dyshime të forta se personi që ka qenë në makinë duke u kthyer nga Vlora është vetë Tahiri, i cili në momentin që ka zbritur nga mjeti ka harruar të marrë mjetet e tij të identifikimit pikërisht për shkak se ka besuar se mjeti nuk do të prekej nga policia. Prokuroria e Elbasanit nuk ka dhënë asnjë informacion tjetër veç faktit që personi që pretendohet se ishte në mjet është pyetur dhe ka dëshmuar se është i punësuar. Por prokuroria nuk bën me dije se përse është larguar nga mjeti shoferi, duke e ditur se eprori i tij ishte pa dokumente të rregullta dhe si ka mundësi që nuk ka qenë vetë në drejtimin e mjetit, por ka qenë vetë Sota!

Prokuroria e Elbasanit ndaj duket se është detyruar ta delegojë për mungersë kompetencë këtë ngjarje drejt Krimeve të Rënda, ku vetëm ky fakt rrëzon gjithë alibitë e policisë se në mjet ka qenë shoferi i Sotës dhe askush tjetër! Nga deklarimet që pati dhënë fillimisht në polici biznesmeni i ri, i cili ka mohuar njohjen me Tahirin, por ka pranuar që ka marrë tender për të rikonstruktuar Komisariatin nr 6 në Tiranë, ka treguar se ka qenë duke blerë hekur, ndërsa shuma që i është gjendur me vete është: 863.150 euro, jo shifër e rrumbullakosur, çka rrit dyshimet që personi që ka zbritur nga makina në derën e Kurum të ketë marrë një shumë të konsiderueshme me vete dhe të jetë larguar. Prokuroria pritet të hetojë edhe këtë pistë ndërsa ka shumë për të zbuluar në lidhje me lëvizjen e Orestit për në Vlorë dhe kthimin nga Elbasani për në Tiranë.

Tërhiqet Elbasani

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar Prokurorisë së Elbasanit dorëzimin e dosjes në ngarkim të shtetasit Orest Sota, i kapur pak ditë më parë me 863 mijë euro para kesh dhe dy leje drejtimi të ish-ministrit Saimir Tahiri. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë Krimeve të Rënda, sipas të cilave në hetim është përfshirë edhe itinerari i kryer nga Sota, Tiranë-Vlorë dhe Vlorë-Rogozhinë- Elbasan. Gjithashtu, një detaj tjetër i është bashkangjitur hetimit, adresa ku jeton Orest Sota, i cili një pronë e ka pranë Kodrës së Diellit në Tiranë. Sota është shfaqur disa herë në kronikat televizive me Saimir Tahirin, kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm. Tashmë pritet që të nisin hetimet nga fillimi për atë ngjarje për të cilën më shumë se 48 orë policia e Elbasanit u përpoq në bashkëpunim edhe me policinë të fshihte ngjarjen në të cilën ishte kapur djali i një biznesmeni të njohur me një shumë të madhe parash për të cilën kishte thënë se do të blinte hekur. Tashmë në skenë ka dalë edhe një person i dytë i cili ka qenë në mjet dhe se është zhdukur pa gjurmë!

Krimet e Rënda pritet të bashkojnë procedimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda po shqyrton mundësinë e bashkimit të procedimit të Orest Sotës më atë numër 134 të Saimir Tahirit. Gjetja e dy patentave të Saimir Tahirit momentin e arrestimit të Sotës është elementi lidhës që prokurorët duan ta shfrytëzojnë në bashkimin e dy procedimeve. Ndërkohë policia po heton për ekzistencën e një personi të dytë në makinë, pak përpara arrestimit të Orest Sotës. Hetimet shtrihen edhe mbi kompaninë “Kurum”. Arrestimi biznesmenit Orest Sota, të cilën iu gjetën 863.100 ero në makinë sëbashku me dy patenta drejtimi mjetesh lundruese të ish-ministrit Saimir Tahiri pritet të prodhojnë një zhvillim të ri. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohuan se çështja në ngarkim të Orest Sotës, djali i biznesmenit Lefter Sota, që u kap afër kompanisë së çelikut “Kurum” në Elbasan, me këtë shumë eurosh, pritet që në ditët në vijim t’i bashkohet të njëjtit procedim penal me nr. 134 ku po hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Në rrugë jo zyrtare mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka shpallur mos-kompetencën e hetimit të këtij rasti ku u kapën 863.100 euro dhe tre patenta, dy të Saimir Tahirit dhe një e bashkëshortes së tij dhe se dosja hetimore i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë prokurori janë dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara që do të administrojnë aktet hetimore të prokurorisë së Elbasanin. Do të jenë këta dy prokurorë të cilët në ditët në vijim do thërrasin përsëri për të dëshmuar edhe ish ministrin Tahiri dhe shoferin e tij. Fletëthirrje për të dëshmuar në prokurori do të mbërrijë edhe në adresë të administratores mbikëqyrëse e kompanisë në faliment “Kurum”. Kjo e fundit mësohet se me vendimin e 15 prillit 2016 të marrë nga gjyqtarja e Tiranës Teuta Hoxha, është caktuar si administratore mbikëqyrëse e kompanisë Kurum, e cila prej kësaj date ka hapur procedurën e falimentit financiar. Prokurorët e Krimeve të Rënda thonë se kjo kompani e ka të ndaluar të kryejë pagesa dhe shitje në kesh dhe se çdo transaksion që ka kryer edhe që kryen aktualisht, është tërësisht e kontrolluar nga administratorja mbikëqyrëse e caktuar nga gjykata e Tiranës.

Ndalimi i Sotës, eurot dhe patentat, si e manipuloi ngjarjen Policia e Shtetit

Policia e Shtetit i cilësoi akuza politike reagimet për ndalimin e biznesmenit Orest Sota. Në një deklaratë për mediat policia u shpreh se ka zbatuar ligjin dhe nuk e fshehu ngjarjen. “Përsëri Partia Demokratike sot akuzoi për qëllimet e saj dhe pa asnjë bazë Policinë e Shtetit, lidhur me ndalimin e shtetasit Orest Sota nga policia. Policia e Shtetit është e detyruar të shprehë përsëri keqardhjen për këtë sulm politik, duke nënvizuar se ka bërë detyrën konform ligjit e të gjitha procedurave të kërkuara nga ligji. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, siç është e qartë që shtetasin e ndaloi dhe e çoi për procedim penal, Policia e Shtetit jo akuzuesit e saj. Policia e Shtetit shpreh edhe njëherë keqardhjen për përsëritjen e përditshme të akuzave që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe i bën thirrje Partisë Demokratike e të gjithë forcave politike, të mos bëjnë politikë duke përbaltur punën e uniformave blu. Policia e Shtetit ka goditur dhe do të godasë pa asnjë diferencim, çdo shkelje dhe shkelës të ligjit, pavarësisht përfshirjes së qëllimshme që politika i bën asaj në axhenda të cilat nuk kanë të bëjnë asgjëkundi me misionin e me punën e policisë.

Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar”-thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit. Por, nga data 1 nëntor, kur u ndalua Sota dhe deri më sot, Policia e Shtetit ka bërë disa spekulime në lidhje me rastin. Në njoftimin e bërë nga drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Altin Qato, u fsheh fakti se në makinën “Land Rover” gjendeshin dy patentat lundrimit të Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Sipas njoftimit që doli ditën e ndalimit në 1 nëntor duket qartë se lajmi është munduar të kamuflohet dhe rumbullakoset. Ata që e njohin procedurën normale të hartimit të një komunikate policie vëzhgojnë se kur një person kapet duke drejtuar, mjetin e tij ndërkohë që i është hequr patenta për shkelje të mëparshme, kjo vihet gjithnjë në dukje në njoftim. Por ndryshe nga njoftimet për arrestimin e qytetarëve të zakonshëm, policia nuk tha se 25-vjeçarit i ishte hequr leja e drejtimit të mjetit për një afat të pa caktuar për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Një tjetër aspekt që nuk policia e ka mbajtur të fshehur është fakti se në njoftim duket sikur 25-vjeçari Sota u ndalua dhe rrezultoi pa patent, kur në fakt atij i’u kërkua të ndalonte dhe u mundua t’i ikë policisë. Sipas njoftimit të parë të dalë nga zyrat e drejtorisë së Elbasanit, aty jo vetëm që nuk përcaktohet sasia e eurove që u gjet (thuhet një sasi e madhe eurosh. Por një sasi e madhe për mendësinë e një shqiptari të zakonshëm janë edhe 5 mijë dhjetë mijë euro. Edhe në pikat kufitare të BE 10 mijë euro qëihet një sasi e madhe që nuk mund të transportohet pa u deklaruar), por jepet edhe versioni që mbron të akuzuarin se ato do përdoreshin për likuidim faturash. Policia jo vetëm fshehu emrin e Tahirit dhe shumën e parave, por edhe faktin se kishim të bënim me gati 1 milionë dollar, se orest Sota kisht dashur ti shmngej policisë dhe mbrohet version i tij se këto para do përdoreshin për pagesa faturash. Nuk dihet sa nga këto të vërteta publiku do dinte sot nëse informacioni nuk do të kishte shkuar në zyrat e opozitës e cila e bëri menjëherë publik
/Shekulli/