Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë planifikon ndërtimin e shkollave të reja, anekseve e sallave të sportit, në mënyrë që të fillojë mësimi tërëditor në nivelin parauniversitar.
Me gjithë synimin që aplikimi i mësimit tërëditor të nisë në nivel të Kosovës, kjo nuk pritet të ndodhë në të gjitha shkollat ekzistuese. Këtë e ka pranuar vetë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë një konference ku është prezantuar raporti “Hapësirat e nevojshme shtesë për mësimin tërëditor”, i përgatitur nga Departamenti për Infrastrukturë i MASHT-it, shkruan Koha Ditore.
Raporti është prezantuar të hënën, ku është bërë e ditur se për të realizuar mësimin tërëditor në të gjithë Kosovën nevojiten edhe 142 objekte të reja shkollore, 85 anekse, dhe 218 salla të sportit. Vlera e të gjitha këtyre investimeve do të jetë 371 milionë euro.


















