Polici i Vlorës i shpëton ‘trafikut të drogës’, do të gjykohet për ‘shpërdorim detyre’

E publikuar: 06/11/2017 15:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Renaldo Avdulaj, efektivi i policisë së Vlorës i shpallur në kërkim policor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i implikuar në trafikun e drogës me grupin e Taulant Haxhirajt, nuk do të hetohet dhe gjykohet si pjesë e këtyre grupeve kriminale por do gjykohet veçmas në Gjykatën e Vlorës për “Shpërdorim detyre”.

Vendimi për të ndarë Avdulajt nga pjesa tjetër e të pandehurve të dosjes së prokurorisë ku ai ishte pjesë e këtij grupi kriminal, është marrë në seancën paraprake që është zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, njofton report.tv. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi në seancën paraprake, ku ka vlerësuar provat e prokurorisë, ka pranuar të mirëqënë hetimin e dy prokurorëve Vladimir Mara dhe Ended Nakacci për Taulant Haxhiraj, Xhovalin Baco, Shkelqim Koçiaj, Reshat, Radhima, Marjus Barjami, Klajdis Imeri, Anis Pajo. Ndërsa për ish-­specialistin e hetimit të krimit Ekonomik në policinë e Vlorës, gjyqtarja, Ilirjana Olldashi, ka vendosur që polici të mos akuzohet për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, por ai të akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Menjëherë pas këtij vendimi prokurorët e cështjes tashmë do shpallin moskopetencën hetimore për rastin e Avdulajt dhe çështja ndaj policit të shpallur në kërkim për më shumë se një viti, do t’i kalojë për veprime të mëtejshme gjykatës së Vlorës, ku Avdulaj do gjykohet për “Shpërdorim Detyre”.

Prokurorët e dosjes thanë se vendimi i gjykatës në seancën paraprake është i pabazuar në ligj dhe prova, por në pamundësi ligjore për ta ankimuar këtë vendim do e respektojnë verdiktin e gjyqtares Olldashi. “Këto janë pasojat e ligjit. Një gjyqtare e vetme vlerëson për gjysëm ore hetimin dhe punën e një prokurori që ka kryer për një vit me rradhë. Ne ishim të bindur në prova konkrete që Avdulaj, kishte parcelë droge në fshatrat e Vlorës dhe se ishte pjesë e këtij grupi kriminal, që drejtohej nga Taulant Haxhiraj” ­thonë prokurorët. Mirëpo pavarërisht ngritjes së akuzave të tyre kundër Avdulaj, tashmë këto akuza janë rrëzuar nga gjyqtarja Olldashi dhe se pritet që shumë shpejt ish­polici i implikuar në kultivimin e drogës, do gjykohet vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.