Partia Demokratike e Kosovës ende nuk është përcaktuar se cilin kandidat për kryetar të Gjakovës do ta mbështesë në balotazhin e 19 nëntorit. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve për Gjakovën do të kandidiojë Ardian Gjini (AAK) dhe Mimoza Kusari (Alternativa). Ish kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Gjakovës, Hajdar Beqa në një bisedë për Express tha se ende nuk kanë bërë marrëveshje për koalicion me ndonjë subjekt politik por janë duke biseduar për mundësitë e bashkëqeverisjes në katër vitet e ardhshme.
Beqa tha se me Mimoza Kusarin deri më tani nuk kanë zhvilluar ndonjë takim zyrtar ndërsa me Ardian Gjinin kanë biseduar dhe janë në konsultime me strukturat e partisë.
“Jemi në konsultime edhe me strukturat e partisë. Me Mimozën nuk kemi pasur një konsultim zyrtar, me Ardianin kemi pas konsultime”, tha Beqa të premten për Gazetën Express.
Muaj më parë Beqa e kishte fyer Mimoza Kusari-Lilën duke e quajtur prostitutë politike, megjithatë, ai nuk e ka bërë krejt të qartë nëse partia e tij a do ta mbështesë Kusarin apo Gjinin.
Tutje Beqa tha se ende nuk kanë bërë ndonjë marrëveshje por nëse gjejnë përafrime në program dhe nëse ka hapësirë që PDK-ja të implementojë programin e vet mund të përkrahet AAK-ja.
“Vendimin përfundimtar e marrim në harmonizim edhe me politikat qendrore të PDK-së, nivelit qendror”, tha ai.
Ndërsa debate të ashpra janë zhvilluar edhe në mes të Mimoza Kusari-Lilës dhe Ardian Gjinit. Të dy po garojnë për kryetar të Komunës së Gjakovës. Ata janë përplasur për shumë çështje dhe kanë drejtuar akuza ndaj njëri-tjetrit.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor, Ardian Gjini ka marrë 40,17% të votave ndërsa Mimoza Kusari 32,04% të votave.
Themeluesja e partisë Alternativa ka arritur që në vitin 2013 ta mposhtë Pal Lekajn e AAK-së. Ajo udhëhoqi Gjakovën për katër vjet, përderisa po pretendon edhe një mandat në qytetin e saj të lindjes.
Kusari Lila në fund të mandatit kishte dhënë dorëheqje prej pozitës së Kryetare së Gjakovës për t’u bërë deputete në listën e LDK-së. Si deputete, ajo ka hyrë në garë sërish për Kryetare të Gjakovës./Gazeta Express.

















