Presidentja dhe kryeministri nuk lejohen të marrin pjesë në funeralin e gazetares së ‘Panama Paper’

E publikuar: 03/11/2017 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja malteze, Marie-Louise Coleiro Preca dhe kryeministri i Maltës Joseph Muscat deklaruan të mërkurën se kërkesa e tyre për të marrë pjesë në funeralin e gazetares së vrarë, Daphne Caruana Galizia ishte refuzuar.

Funerali i blogeres dhe gazetares 53-vjeçare është planifikuar të zhvillohet sot në qytetin e Mostas, pranë vendlindjes së saj, ku ajo u vra gjatë një atentati me bombë në makinë, më 16 tetor.

Gjithashtu, dita e sotme është deklaruar një ditë kombëtare e zie për të nderuar gazetaren e vrarë nga Malta.

“Zyra presidenciale ka konfirmuar se presidentja , Marie-Louise Coleiro Preca ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në funeralin e Daphne Caruana Galizia, por familja e gazetares nëpërmjet një pale të tretë ka pohuar se prania e presidentes së vendit nuk ishte e dëshiruar, ” sipas një zëdhënësi.

Po ashtu, një zëdhënës i zyrës së kryeministrit, Joseph Muscat ka njoftuar se Muscat nuk do të ishte i pranishëm në funeralin e Daphne Caruana Galizia.

“Familja e gazetares ka njoftuar se pjesëmarrja e autoriteteve shtetërore është e padëshiruar”, shtoi ai.

Caruana Galizia ishte një kritike e ashpër e kryeministrit të vendit, Muscat dhe qeverisë së tij.

Gjithashtu, presidentja Coleiro Preca, një figurë e rëndësishme në Partinë Laburiste të Maltës ka qënë shpesh pjesë e sulmeve të blogeres se vrarë.

Presidenti i Parlamentit Evropian , Antonio Tajani pritet të jetë midis personaliteteve të huaja që do të marrin pjesë sot në ceremoninë e varrimit në orën 14:00 (13:00 GMT).

Dhjetëra mijëra persona kanë kërkuar drejtësi për Caruana Galizia nëpërmjet protestave të ndryshme duke bërë thirrje për dorëheqjen e komisionerit të policisë së Maltës.