Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas takimit me ministrin e Brendshëm të Italisë, Marco Minneti, deklaroi se e ka përshëndetur në veçanti deklaratën e tij për goditjen e e trafikut të drogës dhe se “nuk duhet të ketë të paprekshëm”. Po ashtu, Basha, vuri në dukje se Minneti nga ana e tij e kishte vlerësuar rolin e opozitës shqiptare për kauzën kombëtare, moslejimin e kthimit të Shqipërisë në një republikë të narkotrafikut.
“Pata një takim me ministrin e Brendshëm Minneti, – tha Basha, – të cilin e falenderova për mbështetjen që ka dhënë dhe po jep Italia në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri, në veçanti. Bashkëbiseduam për gjendjen kritike të luftës kundër krimit të organizuar dhe mora garancitë, të dhëna edhe publikisht, se Italia do të vazhdojë në goditjen e krimit të organizuar, do të ndihmojë Shqipërinë për të dalë nga kjo gjendje e rëndë e trafikut të drogës dhe influencës së bandave të krimit të organizuar.
Në veçanti vlerësoj mesazhin e ministrit të Brendshëm Minnetim për goditjen e organizatave të mëdha të trafikut të drogës dhe goditjen e “të paprekshmëve”. Ky është një mesazh shumë domethënës në një pikë kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Mora vlerësime për rolin e opozitës gjatë gjithë këtyre viteve si një opozitë e përkushtuar për një kauzë të rëndësishme kombëtare siç është lufta kundër krimit të organizuar, kundër kthimit të Shqipërisë në një republikë të narkotrafikut. Natyrisht, e sigurova se PD, unë dhe opozita do të vazhdojmë betejën tonë në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë organizata të krimit të organizuar që prekin zgjedhjet dhe vendosin drejtësi, të mos ketë të paprekshëm dhe natyrisht që drejtësia të veprojë dhe të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit.”


















