Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor znj. Albena Reshitaj mori pjesë në konferencën “Sfida e Ujit të Ndotur” e organizuar nga SHUKOS dhe SHUKALB, e cila po mbahet në Prishtinë, raporton infosot.
Duke përgëzuar organizatoret për organizimin e kësaj konferencë dhe ekspozite, ministrja Reshitaj e vlerësoi si mjaft të rëndësishme këtë iniciativë për ngritjen e vetëdijes në sektorin e ujit, kujdesin ndaj burimeve ujore, furnizimin me ujë të pijshëm si dhe trajtimin e ujërave të zeza.
“Lulëzimi i urbanizimit dhe industria në rritje paraqesin sfida të rëndësishme dhe presion mbi burimet ujore. Shkarkimi i ujërave të zeza të pa trajtuara për një kohë ka qenë një sferë të cilës nuk kemi arritur si shtet t’i përgjigjemi.
Tani bashkë më donatoret ndërkombëtar jemi duke bërë investime të mëdha për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, në qytetet kryesore si Prizreni, Gjakova dhe Peja (që mbulojnë konsiderueshëm pellgun e Drinit të Bardhë), dhe në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq (pjesë e pellgut të Ibrit).
Gjithashtu jemi në negociata edhe për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza për Gjilanin (pjesa e pellgut Morava e Binçës), Ferizaj (pjesë e pellgut të Lepencit) dhe Mitrovicë (pjesë e Ibrit) dhe përmes kësaj do të mbulojmë të gjitha vendbanimet kryesore në katër pellgjet ndërkufitare të Kosovës.
Për të gjitha këto projekte ne si ministri i jemi shumë mirënjohës partnerëve tanë në bashkësinë ndërkombëtare për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, Kosova u detyrohet një mirënjohje të përjetshme atyre, sepse uji është dhe do të mbetet një prioritet dhe një përbërës i domosdoshëm për çdo politikë të zhvillimit të qeverisë, tha ndër të tjera në këtë konferencë”, ministrja Reshitaj.