Heshtje varri për Tahirin, në ‘kongresin’ anti-drogë,Xhafaj e sulmon indirekt

E publikuar: 03/11/2017 13:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emri i Saimir Tahirit, që drejtoi ministrinë e Brendshme për 4 vite dhe që deri dje ishte simbol i suksesit të Rilindjes, nuk u zu asnjëherë në gojë sot në “kongresin” për drogën të mbajtur në Tiranë, mes palës italiane dhe asaj shqiptare.

Por pavarësisht se emri i tij nuk u artikulua nga askush, vepra që la mbrapa u godit fortë edhe nga pasardhësi i tij, Fatmir Xhafaj, Në fjalën-analizën që mbajti në prani të homologut italian, ai pranoi se çfarë kishte ndodhur realisht me kanabisin, veçanërisht gjatë vitit 2016.

“Në vitin 2016 u konstatua një rritje e ndjeshme e kultivimit të kanabisit, nga euforia dhe paaftësia e strukturave tona, apo sofistikimi i krimit kjo mbetet për tu analizuar, por dëmi ishte i madh dhe shumëplanësh”, tha Xhafaj.

Sipas tij, në këtë sipërmarrje u gënjyen shumë fermerë të pafajshëm, por më rëndë ishte implikimi i drejtuesve të policisë.

“U përfshinë në një mënyrë ose tjetër disa oficerë policie, disa ishin të paaftë, shumë të tjerë heshtëm nga shpërblimi ose frika”, deklaroi ai pa guxuar ta çojë akuzën në nivele më të larta.

Xhafaj edhe herë të ka kritikuar punën e policisë dhe indirekt atë të ish-ministrin Saimir Tahiri, në lidhje me problematikën e madhe të drogës në vitin 2016.