Qyteza e Piranit dukej e qetë fundjavën e kaluar, por politikisht nuk është aspak e tillë. Ujërat rreth saj vazhdojnë të jenë të trazuar, ashtu si dhe një histori e pazgjidhur demarkacioni.
Katër mijë banorët dhe qindra turistët që kishin zgjedhur fundin e tetorit për ta vizituar nuk mund të bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë në qytezën bregdetare, e cila ka qenë në shënjestër të zhvillimeve të mëdha tash e gati tri dekada, për shkak të problemit kufitar me Kroacinë, në Gjirin e Piranit.
Një vendim i Gjykatës së Arbitrazhit që do t’i lejonte Sllovenisë qasje në ujërat ndërkombëtare nuk po pranohet nga shteti kroat, duke i rritur kështu tensionet ndërmjet dy vendeve. Sipas vendimit, Sllovenia ka fituar tri të katërtat e Gjirit të Piranit dhe të drejtën që ta integrojë atë në ujërat e veta territoriale. Po ashtu, gjykata ia ka dhënë shtetit slloven të drejtën e kalimit të lirë nëpër detin kroat drejt ujërave ndërkombëtare.
Çështja e ujërave territoriale ka qenë shqetësuese për të dy vendet që nga pavarësia e tyre nga Jugosllavia, në vitin 1991. Për shkak të shtrirjes gjeografike dhe gjatësisë së vijës bregdetare (rreth 47 kilometra), Sllovenia nuk ka pasur mundësi të krijojë kontakt territorial me ujërat ndërkombëtare.
Liderët politikë të të dyja vendeve kishin bërë përpjekje vazhdimisht për të gjetur zgjidhje, por pa sukses. Një marrëveshje e arritur ndërmjet kryeministrave Ivica Raçan e Janez Drnovshek qysh në vitin 2001 nuk ishte zbatuar asnjëherë, për shkak të kundërshtimit edhe të partnerëve të koalicionit të kryeministrit kroat, por edhe të HDZ’së opozitare, që e akuzonte Raçanin për tradhti të interesave kombëtare. Po ashtu, Kuvendi nuk e kishte pranuar këtë ujdi.
Por, në momentin kur negociatave për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Europian po iu vinte fundi, pala sllovene kishte vlerësuar se kroatët do të duhej të pranonin kërkesat e tyre, kështu që kishte vendosur t’i bllokojë ato.
Bllokada e 15 kapitujve të negociatave ishte vendosur në vitin 2008 nga kryeministri Borut Pahor me arsyetimin se dokumentet kroate paragjykonin çështjen e vijës kufitare. Përveç kësaj, Sllovenia kërkonte dalje territoriale në det të hapur.
Më në fund, në nëntor të vitit 2009, kryeministrat respektivë Jadranka Kosor e Borut Pahor ishin pajtuar në Stockholm që me zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare të merrej Gjykata e Arbitrazhit. Vetë marrëveshja ishte formuluar në atë mënyrë që lejonte të intepretohet në mënyra të ndryshme. Sipas njërës Sllovenia do të kishte dalje në det të hapur, por mbetej çështje e hapur se si do të ishte ky kontakt – territorial apo vetëm e drejtë e shfrytëzimit.
Megjithatë, në qershor të vitit 2010 sllovenët kishin votuar në referendum nëse çështja duhet shkuar në arbitrazh. Ishte vendosur “për” me një rezultat të ngushtë. Në këtë mënyrë, Kroacia nuk do të pengohej në rrugën drejt BE’së, ndërkaq çuarja e çështjes në Arbitrazh vlerësohej si fillim i përfundimit të “luftës 20 vjeçare kroato-slllovene për kufirin detar”.
Ndërkohë, në vitin 2013 Kroacia ishte pajtuar me direktivat evropiane për rajonin dhe kishte arritur të bëhet pjesë e BE’së, por më vonë kishte ndryshuar qëndrim.
* * *
U deshën shtatë vjet që Gjykata e Arbitrzhit të sjell vendimin. Por, problemet nuk mbaruan. Ende pa u bërë vendimi publik, pala kroate vlerësonte se marrëveshja është “shkronjë e vdekur në letër” dhe se duhet kërkuar mënyrë tjetër të zgjidhjes së kontestit. Sllovenia, ndërkaq, kërkon që vendimi të respektohet.
Në një situatë të tensionuar, kryeministri slloven Miro Cerar anuloi një vizitë të planifikuar në Kroaci, duke akuzuar shtetin fqi për provokim dhe rikthim të gjuhës së konfliktit. Kurse homologu i tij kroat, Andrej Plenkovic, tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se marrëveshja nuk është e vlefshme.
Jo shumë larg Piranit, në Kosovë, çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave. Komisioni i ri shtetëror po verifikon kufirin, ndërkohë që është e pasigurt nëse në Kuvend do të kalohet marrëveshja tashmë e miratuar nga Podgorica.
Presidenti Hashim Thaçi iu ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që pa vonesë të ratifikojnë marrëveshjen e nënshkruar nga ai në vitin 2015. Edhe zyrtarë të BE’së vazhdojnë të përsëritin se nuk njohin marrëveshje tjetër nga ajo që tashmë ekziston. Por, tash për tash asgjë nuk është e sigurt, aq më pak kur partia më e madhe, Vetëvendosja, e refuzon atë bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, për ta çuar çështjen në Arbitrazh, të dyja shtetet duhet të pajtohen se ekziston një kontest i pazgjidhur. Për Malin e Zi, ndryshe nga Kosova, gjithçka është e qartë. Po që se çështja bartet në Arbitrazh, atëherë duhet pritur me vite një vendim. Rasti i Piranit tregon se madje as vendimi i Arbitrazhit nuk mjafton që problemet të marrin fund.
Iu mbetet Qeverisë dhe Kuvendit të tregohen racionalë në veprimet që nënkuptojnë nxjerrjen e kosovarëve nga izolimi. Ose të vazhdojnë të ngelen të kapur për Kullë e Çakorr. Historia e Gjirit të Piranit mbase mund t’iu shërbejë si leksion.