Çfarë është Atdheu’? Përgjigjet që ju lënë pa fjalë të fëmijëve që po rrisim

E publikuar: 01/11/2017 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

‘Çfarë është atdheu për ju? – pyeta sot nxënësit e mi’, shkruan në Facebook, mësuesi Namir Lapardhaja, i cili ka bërë publike edhe përgjigjet e të rinjve.

E përgjigjet e disa prej tyre janë idealiste, por të shumtë janë ata që nuk do donin të kishin lindur në këtë vend. Shumë prej tyre, fatkeqësisht e shikojnë Shqipërinë si vend të mallkuar.

E tmerrshme se si mendojnë brezi i ardhshëm i shqiptarëve, shumica prej të cilëve duket se kërkon vetëm të largohet nga Shqipëria e të mos jetojë në këtë vend.

Ja përgjigjet e nxënësve se ‘Çfarë është atdheu për ta’:

Silvana: Atdheu është djepi i lindjes, shtëpia e arritjes dhe varri i të vdekurit.

Ersjona: N.q.s do të kisha pasur fatin të lindja dhe të jetoja në një vend tjetër brenda apo jashtë kufijve evropiane, atëherë mund të thoja se atdheu është gjithçka, por, meqë kam pasur fatin e keq të lindja në Shqipëri, atëherë po them se atdheu për mua është një copë tokë ku jam detyruar të jetoj dhe të punoj fort për t’u larguar sa me shpejt prej tij.

Thanas: Atdheu është shtëpia jonë, identiteti ynë. Ai na jep emrin shqiptar. Pavarësisht të mirave dhe të këqiave, atdheun ta duam dhe të kontribuojmë sado pak me punën tonë. Çdo gjë e mire është kontribut ndaj vendit ku jetojmë.

Pa emër: Atdheu për mua është t’i hipësh kamjoneve për në Angli ose maleve për në Greqi. (P:S – Me pak fjalë, vërtet është atdheu vendi ku kemi lindur, por nuk është vendi ku do jetoja).

Pa emër: Atdheu është vendi ku kemi lindur dhe do të vdesim.

Inesa: Atdheu është ajo drita në errësirën e natës.

Renato: Atdheu është për mua vendi i cili fatkeqësisht na e ka dhuruar Zoti, por jemi të detyruar dhe me një farë mënyre kemi një dëshirë të brendshme për të kur luan kombëtarja (Nuk jam ironik!)

Ilva: Për mua atdheu është vendi në të cilin vështirësi të ndryshme na detyrojnë të jetojmë.

Kristel: Atdheu është dashuria për vendin ku kam lindur dhe jetoj. Identiteti dhe dëshira për të kontribuar për të duke e përmirësuar sado pak.

Megi: Atdheu është toka ku ne kemi lindur, ku flasim të njëjtën gjuhe dhe vendi ku nuk duam të jetojmë.

Anxhelina: Atdheu im për mua është vendi që nuk dua të ndërroj me asnjë tjetër. Pasi nuk ke për të gjetur asnjë si vendi yt.

Pa emer: Vendi më i mallkuar për ne.

Pa emer: Atdheu është vendi ku ne lindim, jetojmë dhe vdesim.

Pa emer: Atdheu është origjina jonë.

Florinda: Atdheu është vendi ku kemi lindur pa zgjedhjen tone, por që përpiqemi të rritemi e të zhvillohemi me dëshirën tone. Atdheu është shtëpi ku gjej ngrohtësinë e personave të mi të dashur.

Era: Atdheu është vendlindja ime. Ai që na përfaqëson ne si individ në çdo aspekt.

Lorena: Atdheu është fatkeqësia jonë që jetojmë këtu.

Eoklida: Atdheu për mua është gjithçka që unë jam.

Lulezime: Atdheu për mua është vendi ku kam lindur e jetoj, është origjina e jetës sime.

Andrea: Atdheu është gjëja më e shtrenjtë që unë kam.

Vasil: Atdheu ynë është vendi ku askush nuk do të donte të jetonte. Thjesht mjerim.

Olgert: Atdheu është një copë tokë ku të gjithë përreth flasin gjuhën që flet ti.

Image