Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, Arian Daci, është bërë sot pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Lajmin për emërimin e tij e ka konfirmuar për gazetametro.net vetë Arian Daci, i cili që nga sot do të jetë në kabinetin e Haradinajt.
Ai u emërua sot në postin e zëvendësministrit të Diasporës, Ministri kjo e udhëhequr nga Dardan Gashi. Siç mëson Metro, ka qenë vetë ministri Gashi i cili ka emëruar Dacin në këtë post.
Daci del të jetë emëruar nga Lista Rugova dhe ish-grupi i Bujar Bukoshit, të cilët tani po udhëheqin me Ministrinë e Diasporës, ani pse nuk morën pjesë në zgjedhje. Kjo listë, e që shihet se ka një afërsi me dikur nënkryetarin e LDK’së, Nexhat Dacin, ka udhëhequr edhe me një ministri kohë më parë në kabinetin e Thaçit. Dardan Gashi ishte ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga viti 2010.
Ndryshe, Arian Daci që tash do të jetë zëvendësministër falë Listës Rugova të krijuar nga Ukë Rugova e Bujar Bukoshi, me profesion është farmacist.
















