Drejtori për Krimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues Josif Shtëmbari tha se në 12 orët e fundit në Tiranë, Përmet e Dibër, strukturat e Policisë së Shtetit kanë kryer 4 operacione për goditjen e trafikut të narkotikëve dhe një grupi me aktivitet të fortë kriminal në fushën e vjedhjes së automjeteve.
Kështu në Tapizë, Tiranë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative është bërë kontrolli e më pas arrestimi i shtetasit Astrit Voca, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë. Nga kontrolli i ushtruar iu sekuestruan 4 .1 kg kanabis, presuar në katër pako. Vocës iu gjet edhe një kartë identiteti e falsifikuar.
Nga hetimet e kryera u identifikuan dhe arrestuan bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari të kundërligjshme. Ata janë: Burim. B, 34 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë; Shukri. S, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë.
Këta dy shtetas kishin marrë me qera një automjet të markës Volkswagen, me targa të Kosovës dhe po ndiqnin shtetasin Astrit Voca, për t’i krijuar siguri gjatë kohës që do udhëtonte me autobus për në Kosovë. Gjithashtu forcat policore të Tiranës arrestuan në flagrancë shtetasin Erald Beta, 30 vjeç. Nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua 2.8 gr kokainë dhe në banesë iu gjet edhe një pistoletë, Zaztava.
Specialistët e Hetimit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin Veis Pipa, 33 vjeç. Në Tiranë dhe në Dibër, gjatë operacionit të koduar “Kamionçina”, u godit një grup me veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së automjeteve.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si rezultat i një pune policore disa mujore zbuluan dhe dokumentuan me prova ligjore veprimtarinë e grupit kriminal që vidhnin automjete dhe më pas i çmontonin për pjesë këmbimi. Mjetet vidheshin në Tiranë dhe më pas dërgonin në një servis në fshatin Blliçe Peshkopi.
Në bashkëpunim me Policinë e Dibrës u arrestuan 4 persona dhe u shpall në kërkim 1 tjetër. Ata janë: Ferit Dauti, 44 vjeç, banues në Blliçe Dibër (i dënuar më parë); Mehmet Dauti, 20 vjeç, banues në Blliçe Dibër; Ervis Dauti 19 vjeç, banues në Blliçe Dibër; Hasan Elezaj, 49 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë ); si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. Gj., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Në servisin e shtetasit Ferit Dauti, në fshatin Blliçe të Peshkopisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mjete dhe pjesë të disa makinave të tjera. Në sajë të punës hetimore të mirëorganizuar u dokumentua me prova ligjore se këta shtetas janë autor, të nNgjarjes të ndodhur në 3 mars 2017, ku gjatë natës në rrugën “Sitki Çiço” kanë vjedhur mjetin tip “Benz”; autorë të ngjarjes të ndodhur në 13 gusht 2017, ku në rrugën “Arkitekt Sinani”, është vjedhur mjetin tip “Benz”; ngjarjes të ndodhur 7 shtator 2017, ku në rrugën “Selman Riza“, është vjedhur mjeti furgon tip “Benz”; nNgjarjes të ndodhur në 23 tetor 2016, ku në rrugën “Myslym Keta”, kanë vjedhur mjetin furgon tip “Benz”; nNgjarjes të ndodhur në 23 tetor 2017, ku kanë vjedhur automjetin tip kamionçinë ‘Mercedes Benz’.
Në Përmet, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë policore nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Veis Pipa, në fshatin Panarit, u gjet një qese me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa. Në afërsi të banesës, në vendin e quajtur “Përroi i Gropëzit” u gjetën të hedhura në një ambient të hapur 4 thasë plastmasi, me ngjyrë të zezë brenda të cilëve kishte cannabis. Pesha totale e lëndës rezultoi 30 kg.


















