Sikur për jahtin e Blerim Devollit, Shpend Ahmeti po gënjen edhe për avionin e Lazim Destanit

E publikuar: 31/10/2017 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse kapitalizmi do të kishte një flamur të vetin, në sfondin e tij do të ishte jahti dhe “private jet”-i. Aty ndodhin, ose supozohet që ndodhin, të gjitha marrëveshjet e mundshme. Asnjë prej tyre në të mirë të popullit. Ato që bëhen për të mirën e popullit bëhen në zyra, në ndërtesa publike. Assesi 10 mijë metra lart në ajër, e as kushedi sa milja nautike thellë në det. Njeriu shkon lart, ose thellë në det, për t’u larguar nga populli. Për t’u larguar nga përgjimet. Për t’u larguar nga zhurma. Kuptohet, jo nga zhurma që atje lart e bën krisma e hollë e gotave të mbushura me “Dom Perignon”.

—-

Në një kohë shumë të shkurtër, brenda disa muajve, Shpend Ahmeti, kryetari aktual i Prishtinës, është kapur në flagrancë duke shijuar jahtin dhe “private jet”-in. I pari pronë e Blerim Devollit, e i dyti, ose pronë, ose i paguar “charter” nga biznesmeni Lazim Destani.

Në të dyja këto simbole të luksit po lundron dhe po shëtit i pari i Prishtinës, i cili, sikurse edhe partia e tij, e ka në MANIFEST barazinë sociale, politikat e majta, shtetin që u shërben masave dhe jo elitave, shtetin që është për të varfër më shumë se sa për të pasur.

Nëse është kështu, e që po e zëmë që është, atëherë çfarë kërkon Shpendi në shoqërinë e Blerimit dhe të Lazimit? A është shok i tyre? Nëse po, prej kur janë shokë? Nëse janë shokë, pse nuk e thotë hapur, por e fsheh?

Ose, le ta shtrojmë pyetjen në këtë formë: sikur të mos kishte qenë kryetar i Prishtinës, a do të kishte pasur rastin që t’i shijonte këto të mira të luksit?

Gjeneratave më të reja nuk u kujtohet, por u duhet kthyer në vëmendje një rast të para 14 viteve, kur ish-kryeministri Bajram Kosumi, për arsye pune, për arsye urgjente, ishte dashur të kthehej me një avion privat nga Turqia, ku kishte qënë duke pushuar, për t’u takuar me përfaqësuesin e OKB’së për Kosovë, Kai Eide, i cili kishte ardhur në Kosovë papritur. Kosumi, i zënë në befasi, nuk e kishte analizuar mirë situatën, dhe ishte kthyer me një avion privat, të cilin edhe sot e kësaj dite nuk e dimë se kush e kishte paguar. Kishte thënë se ia kishin paguar disa miq. Kishte menduar që e mbylli historinë, por ai vetëm sa e kishte hapur atë. Buja mediale kishte qenë aq e madhe në atë kohë, sa nuk kishte vonuar shumë dhe Kosumi ishte rrëzuar nga pozita e Kryeministrit.

E pata shkarravitur edhe në atë kohë një copë shkrimi. E pyeta, në atë kohë, Bajram Kosumin, në një shkrim, sikur ky i sotit, se sikur të mos kishte qenë Kryeministër, a do të kishte pasur mundësinë që të kthehej me avion privat? Në fakt, i pata thënë, se a kishte përdorur avion privat ndonjëherë, para se të bëhej Kryeministër. Sigurisht që jo.

Pyetjet që i shtroheshin Kosumit atëherë, e që do të mund t’i shtrohen Shpendit sot, janë këto: Kush e ka paguar avionin? Sa ka kushtuar ai? A ke marrë pjesë ti në këtë pagesë? Nëse po – sa, nëse jo – pse? A je futur në obligime ndaj atij që ta ka paguar udhëtimin? Ai që ta ka paguar udhëtimin, në këtë rast Lazim Destani, a ka biseduar ndonjëherë me ty për ndonjë projekt biznesor në Prishtinë? Ai që ta ka paguar ty jahtin, e ky që ta ka paguar “charter”-in, a kanë biseduar ndonjëherë me ty për një qendër tregtare te Stacioni i Autobusave? Tash, pasi ti ke fluturuar me avion privat, ose me “charter”, e pasi ke lundruar me jaht, a mendon që ke mundësi ta ruash neutralitetin e duhur, në rast se këta afaristë bëhen pjesë, ose shprehin interes për projekte të caktuara në komunë, në të cilat nevojitet edhe pëlqimi yt?

Rreth kësaj çështjeje ka edhe shumë e shumë pyetje të tjera, qofshin të karakterit ligjor, ose të karakterit moral, në të cilat i pari i Prishtinës do të duhej të përgjigjej. Ndërsa, prej të gjitha përgjigjeve që ai do të duhej t’i jepte, pasi avioni privat iu përmend nga kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, gjeti të thoshte se ajo gjëja nuk qenka avion privat, por qenka “charter”. Në këtë mënyrë, Shpend Ahmeti e demonstron për të kushedi satën herë që është një mashtrues i cektë. Ai, kur kapet ngushtë, nuk lë mjet pa përdorur, posaçërisht gënjeshtrat, për ta evituar turpin eventual. Për të është shumë e rëndësishme që ta fitojë një duel momental, e pastaj kur të përballet më duelin tjetër e mendon një gënjeshtër tjetër për të shpëtuar edhe nga situata më e re. Pra, për Shpend Ahmetin, paska dallim esencial nëse qenka avioni “charter”, e jo avion privat. Ai nuk do ta pranojë, nuk do ta shpjegojë, sepse besoj që e di, se dallimi i “charterit” dhe avionit privat është semantik.

Qe pyetja e radhës, që do ta sqaronte këtë dilemë: në “charter” a kishte edhe udhëtarë të rastësishëm, apo ishit që të gjithë VIP? Pra, a kishte udhëtarë me bileta që po shkonin në Milano, a po ishit vetëm ju të rëndësishmit?

Sigurisht që keni qenë vetëm ju. Secili sheik, secili emir, secili oligark i pasur, në raste të caktuara paguan “charter”, sepse avioni i tij personal mund të jetë i zënë diku tjetër. Ose, edhe mund të mos ketë fare avion privat, por thjesht e paguan një të tillë me qira për një kohë të gjatë.

Por, këto gjëra për Shpend Ahmetin nuk janë të rëndësishme. Për të është e rëndësishme që të dalë disi më fytyrë nga studioja televizive.

A nuk e kemi parë të njëjtin film edhe te afera e jahtit? A nuk ishte zhdukur Shpendi për një javë? A nuk jepte shpjegime kontradiktore për ngjarjen? A nuk thoshte që ka qenë në një mjet të lundrimit me disa miq, por që nuk tregonte kush ishin ata miq? A nuk thoshte që ka qenë në ndeshje të futbollit në Shkodër për të parë Kosovën? Derisa në fund tha se kishte qenë në jaht dhe e kishte pirë një “Coca Cola Zero”.

E njëjta histori, me të njëjtin protagonist. Tash ka ndërruar vetëm mjeti transportues dhe pronari. Sigurisht që na mbetet vetëm edhe të presim të na tregojë Shpendi se çfarë ka pirë në “charter”.