Zgjedhjet e 22 tetorit kanë çuar në balotazh Partinë Demokratike të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje në komunën e Kaçanikut. Në raundin e dytë, më 19 nëntor do të përballen Besim Ilazi i PDK-së dhe Basri Kodra i VV-së.
Ky i fundit tashmë ka bërë me dije se ka marrë përkrahjen e AAK-së dhe LDK-së që ta sjellë ndryshimin në Kaçanik.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Kodra ka thënë se vota që ishte shpërndarë në disa subjekte politike, tashmë do i besohet Vetëvendosjes që të qeverisë në komunë.
“Do të fitojmë për shkak se kemi kërku përkrahjen dhe e kemi marrë atë me fillim prej dy subjekteve më të mëdha që janë pas nesh, LDK dhe AAK. Po vazhdojmë negociatat me ta dhe me shoqërinë civile, si dhe me njerëzit që janë të interesuar për ndryshim. Nuk kemi arritur akoma marrëveshje por jemi duke u konsultuar. Ne po bazohemi në 60 përqindëshin e votës që ka qenë për ndryshim, kundër PDK-së. Vota ka qenë e shpërndarë në 3-4 subjekte e më tepër”, ka thënë ai.
Kodra qeverisjen e PDK-së e ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe të dobët. Sipas tij, kjo qeverisje e ka sjellë komunën në degradim.
“Qeverisja e kaluar është karakterizuar si qeverisje e dobët, e plogësht dhe me papërgjegjësi. Kemi degradim të gjendjes, sidomos në fushën e arsimit, si dhe në ivestimet në infrastrukturë”, është shprehur ai.
Ndryshe, Kodra në zgjedhjet e 22 tetorit kishte marrë 3 mijë e 353 vota, deri sa kundërkandidati i tij nga PDK-ja, Besim Ilazi kishte marrë 6 mijë e 588 vota. /Indeksonline/



















