LSDM-ja dhe BDI-ja shpallin fitoren, VMRO-ja nuk njeh rezultatin

E publikuar: 30/10/2017 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në bazë të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të kumtuara të dielën në orën 23, nga komunat që garuan në balotazh, Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në 17 komuna, kurse VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ka dalë fituese vetëm në dy komuna.

Përderisa, sa i përket bllokut politikë shqiptarë, kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim kanë fituar në 6 komuna, Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë 3 komuna, ndërkaq Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare do të drejtojnë nga një komunë. Një komunë do të drejtohet nga një kandidat i pavarur. Mbetet të përpunohen të dhënat edhe për 4 komuna, ku sipas të dhënave të KSHZ-së, në dy prej tyre prin BDI-ja dhe dy të tjera LSDM-ja.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Cicakovski tha se zgjedhjet ishin të qeta, sipas standardeve demokratike, dhe në përputhje me kushtetutën e Maqedonisë dhe rregullativën pozitive ligjore.

Paraprakisht të dielën në mbrëmje, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, zgjedhjet vendore i quajti të falsifikuara duke theksuar se nuk do ta njoh rezultatin e dalë nga këto zgjedhje.

Është shkelur edhe heshtja zgjedhore. Disa persona kanë shpërndarë fletushka, derisa Policia ka qenë në shërbim të tyre. Janë regjistruar edhe kërcënime, shantazhime dhe blerje votash. Janë shpërndarë edhe artikuj ushqimor”, u shpreh Gruevski, duke kërkuar formimin e Qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev, kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku kanë garuar me kandidatët e tyre, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit.

Përderisa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, që drejton Lidhjen Social-Demokratë të Maqedonisë, ka kërkuar nga VMRO-DPMNE që të njoh rezultatin zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet ishin kristal të pastra.

Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. Bëj thirrje deri tek udhëheqësia e VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev sipas të cilit vota ishte tregues i qartë se qytetarët përkrahin kthimin e Maqedonisë në binarë të proceseve euro-integruese.

Ndërkaq, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili ka garuar në Komunën e Strugës, për humbjen e tij e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, duke theksuar se ai mbetet fitues absolut në elektoratin shqiptarë, kundrejt kundërkandidatit të tij të mbështetur nga LSDM-ja.

Zoran Zaevi e ka thelluar akoma më tepër ndarjen, në qoftë se vazhdimisht ai thirret në bashkëjetesë ka bërë të kundërtën, ka shkuar kundër vullnetit të shumicës së shqitarëve dhe në esencë demokracia është vullnet i shumicës. Dhe shumica në Strugë është shqiptare”.

Në rast se kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundërkandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se Ramiz Merko dhe BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, tha Sela.

Edhe lideri i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, i cili ishte dhe kandidat në Komunën e Tetovës, tha se ai dhe partia e tij nuk kanë humbur, përkundrazi fitues moral tek shqiptarët mbetet Aleanca me Besën, sa i përket numrit të votave të fituara nga elektorati shqiptar.

Kasami ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se Aleanca me Besën do të mbetet, siç ka thënë, gardian i interesave të shqiptarëve.

Lirisht mund të konstatojmë sesa i përket numrit të votave në kampin e partive politike shqiptare, fitues absolut moral dhe real jemi ne të koalicionit Aleancës me Besën”, është shprehur Kasami.

Aleanca për Shqiptarët, parti e cila arriti marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Besa pas raundit të parë, shpalli fitore në komunën e Gostivarit, atë të Vrapçishtës, Bogovinës dhe Zhelinës.

Gostivari u çlirua nga një diktator. Koalicioni ka fituar edhe në Vrapçishtë, Bogovinë dhe Zhelinë. Në të gjitha komunat ku kemi humbur, dallimi në vota është shumë i vogël. Kjo tregon se shqiptarët u zgjuan”, theksoi Arben Taravari, i cili shpalli fitoren e tij në komunën e Gostivarit.

Ndërkohë që Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pasi shpalli fitoren në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare tha se për herë të parë Komuna e Dollnenit do të drejtohet nga shqiptarët.

Jam këtu për të konfirmuar lajmin e fitores së madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, në Çair, në Dibër, në Saraj, në Likovë, në Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.