Kosova e Katalonja, të ngjashme, insiston Serbia

E publikuar: 28/10/2017 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka thënë se shpallja e pavarësisë së Katalonjës për Serbinë s’e ka asnjë ndikimi juridike dhe, sipas tij, ajo shpallje është e ngjashme me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

“Serbia përkrah integritetin territorial, tërësinë e Spanjës dhe ai akt nuk është në përputhje me sistemin kushtetues spanjoll. Për dallim nga ajo se si vende të tjera reaguan ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia nuk pranon aktet e njëanshme askund në botë, përfshirë dhe Katalonjën”citon b92 të ketë thënë Daçiq.

Ai ka theksuar se ka lexuar atë që e ka thënë kryetari i Komisionit Europian Jean Claude Juncker dhe ka shtuar se është i tmerruar se ”ç’heshtje do të krijohej sikur njerëzit të flisnin vetëm atë që dinë “.

“Juncker ka folur për njëfarë presioni të Jugosllavisë në Slloveni e Kroaci dhe se për këtë arsye nuk mund të krahasohet Jugosllavia e Spanja dhe Katolonja. Janë thënë aq shumë marri gjatë këtyre muajve. Është e qartë se funksioni që e ka atij s’i jep të drejtë të ketë të drejtë , sepse ai flet të pavërtetën”, ka thënë Daçiq.

Sipas tij, ngjashmëri ndërmjet Katalonjës e Kosovës ka në bazën themeltare për shkak bëhet fjalë për hap të njëanshëm, për shpallje të njëanshme të pavarësisë.

“Është rrugë e njëjtë e Kosovës dhe Katalonjës, vetëm se problemi është që në këtë rast fuqitë e mëdha s’e përkrahin Katalonjën e në rastin e Kosovës ka qenë interesi tjetër”, ka thënë Daçiq.