Veprimi i jashtëligjshëm i KEDS-it rreth trafove për bizneset

E publikuar: 28/10/2017 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania për distribuim dhe furnizim me energji elektrike KEDS, përveç që nuk ua siguron lidhjet e reja në rrjetin elektrik bizneseve, të cilat e kalojnë 15 kilovoltëshin, po i detyron ato që pronat e tyre private ku vendosen trafot e reja, t’i kthejë në pronësi të KEDS-it.

Janë afër 500 biznese, të cilat në momentin e zgjerimit të veprimtarisë të tyre afariste, kanë hasur në probleme të tilla me furnizuesin e energjisë elektrike, raporton KTV.

40 mijë euro kushton një trafo, të cilën bizneset me mjetet e tyre duhet ta sigurojnë bashkë me pajisjet e tjera përcjellëse.

Ndërkaq, KEDS-i në këmbim të mirëmbajtjes së trafos në rast të prishjeve, i obligon pronarët e bizneseve që të nënshkruajnë një kontratë për bartje të pronës.

Sipas kontratës, edhe pse biznesi e blen vetë trafon, detyrohet që atë ta regjistrojë si pronë të KEDS-it bashkë me tokën ku është vendosur trafoja.

Ky veprim është krejtësisht i kundërligjshëm, thotë Oda afariste, e cila mbron interesat e bizneseve.

Një problem të tillë e ka shtypshkronja “ERA” në Ferizaj, e cila pavarësisht kërkesave të shumta në KEDS, ka mbetur pa lidhje të re.

Bizneset nuk po pranojnë që prona e tyre private të kthehet në pronësi të KEDS-it.

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, brenda javës, është takuar dy herë me menaxhmentin e KEDS-it, nga të cilët ka kërkuar që kjo kontratë të ndryshohet.

Gashi thotë se KEDS-i sikurse çdo qytetari që e ka për obligim t’ia dërgojë energjinë elektrike në shtëpi, duhet t’u ofrojë edhe bizneseve të njëjtin shërbim. Këtë obligim KEDS-i e ka sipas kontratës.

Por, zyrtarë të KEDS-it, thonë se po bazohen në ligje dhe meqë në prona private nuk kanë qasje, domosdo duhet t’i kthejnë pronat në emër të tyre.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës paralajmëron KEDS-in se duhet t’i zbatojë obligimet, të cilat dalin nga kontrata dhe t’i dijë kufijtë e saj.