Bulliqi e Isufi: Komisionet paraqesin fakte, deputetët zgjedhin solucionin më të përshtatshëm politik

E publikuar: 27/10/2017 22:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy profesorët e Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi e Florim Isufi, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët rreth zhvillimeve të fundit në Komisionin Qeveritar për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, ku i pari është kryetar e i dyti është anëtar.

Ata thonë se grupet e ndryshme profesionale kanë për obligim të prezantojnë fakte përmbajtjesore dhe të vërteta mbi sovranitetin territorial të vendit.

“Kohëve të fundit ka dilema dhe dyshime të pabazuara në shtjellimin dhe prezantimin e fakteve rreth demarkacionit të vijës kufitare me Malin e Zi. Duhet kuptuar se grupet e ndryshme profesionale kanë për obligim të prezantojnë fakte të shumta, përmbajtjesore dhe të vërteta mbi sovranitetin territorial të vendit”, ka thënë ata në një adresim të përbashkët, jo edhe gjithaq të qartë. “Raportet profesionale nga komisionet e ndryshme mund të jenë të përafërta apo me dallime të mëdha, varësisht nga qasja dhe lloji i dokumentacionit të shfrytëzuar, por është e drejtë e deputetëve të zgjedhin solucionin më të përshtatshëm politik duke mos atakuar integritetin profesional të autorëve të ndryshëm. Duhet të bëhet e qartë për secilin individ nga politika, mediat apo edhe shoqërisë si tërësi, se me rendësi është të dihet validiteti, saktësia dhe origjinaliteti i burimit të fakteve, që luajnë rol të rëndësishëm në përcaktimin dhe ruajtjen e sovranitetin territorial, e jo simpatia, mbrojtja personale dhe animi i njëanshëm si metodë e imponimit të ndonjë solucionit gjysmak dhe të pa kompletuar”, kanë shtuar më tej.