Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të premtën është nënshkruar marrëveshje e bashkëpunimit në mes të UPZ-së, Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Programit Kërko Drejtësi të NCSC(Qendra Kombëtare për Gjykata Shtetërore – Departamenti i Shtetit të SHBA-së). Marrëveshja përkatëse është nënshkruar nga Prorektori i UPZ-së Prof. Dr. Kadri Kryeziu, në emër të Rektorit Prof. Dr. Ramë Vataj, nga Edona Ahmetaj Programi “Kërko Drejtësi” dhe nga Osman Havolli, kryetar – Oda e Avokatëve të Kosovës. Në bazë të marrëveshjes në UPZ do të vazhdoj punën Klinika Penale Juridike me raste reale dhe zgjerimi i trajnimeve për shkathtësi praktike për studentët e Fakultetit Juridik., transmeton infosot.
Prorektori Kryeziu me këtë rast ka shprehur kënaqësi që po përtërihet kjo marrëveshje e rëndësisë së veçantë për studentët e Fakultetit Juridik të UPZ-së. Ai falenderoi Departamentin e Shtetit të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme që po jepë për UPZ-në në forma të ndryshme. Prorektori Kryeziu po ashtu falenderoi Odën e Avokatëve të Kosovës për kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshje.
Nga ana tjetër Edona Ahmetaj, zyrtare ligjore në Progrmin Kërko Drejtësi dhe Osman Havolli nga Oda e Avokatëve të Kosovës e vlerësuan lartë arritjen e marrëveshjes përkatëse.
Klinika Juridike Penale (Klinika) u jep studentëve mundësi të ndihmojnë avokatët e OAK-së në përfaqësimin pro bono në rastet penale të të pandehurve me gjendje ekonomike të rëndë. Studentët pjesëmarrës do të kenë mundësi të përjetojnë zbatimin e mësimeve akademike në praktikë duke punuar në çështjet penale reale gjatë vitit të katërt të fakultetit juridik). Ligjëratat e klinikës mbahen në Fakultetin Juridik të UPZ-së, ndërsa aktivitetet e përfaqësimit të klientëve (këshillimi dhe avokimi) mbahen në zyrat e avokatëve të OAK dhe, sipas nevojës, në gjykatë apo prokurori. Studentët e klinikës takohen një herë në javë për ligjëritë dhe diskutime në tryezë të rrumbullakët rreth procedurës penale. Ligjëratat mbahen nga ligjërues të ftuar të cilët janë profesionistë ligjorë (prokurorët, avokatët dhe gjyqtarët), përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, etj. Përveç ligjëratave, studentët punojnë në ekipe për të ndihmuar avokatët që ata të përfaqësojnë klientët në gjykatë dhe në të gjitha fazat përgatitore të çështjeve penale pro-bono. Studentët aktiv në këtë Klinikë, pritet që të ndajnë përvojën e tyre të klinikës me nxënësit e shkollave të mesme përmes aktiviteteve të partnerëve tanë në kuadër të Programit “Kërko Drejtësi”.
















