“Ka nevojë për tekste të reja të historisë”

E publikuar: 27/10/2017 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tekstet shkollore, sidomos ato të historisë, duhet të ndryshohen, pasi që përmbajnë disa të dhëna të pasakta. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, me temën “Ballafaqimi me të kaluarën në tekstet shkollore të historisë dhe të edukatës qytetare”.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se tekstet e historisë duhet të ndryshohen, që nxënësit të informohen në mënyrë të duhur, transmeton koha.net.

“ Të ndryshohen tekstet shkollore, sidomos ato të historisë, që kanë të bëjnë më periudhën e viteve 90, respektivisht në periudhën para luftës, gjatë dhe pas luftës. Sepse gjetjet tona ishin, se kjo pjesë e historisë përmban disa të dhëna, që janë të pasakta dhe ne kemi shpresuar, që ato mund të ndërrohet, që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, së paku të informohen në mënyrë të duhur mbi dëmet e luftës, respektivisht mbi humbjet në njerëz gjatë luftës. nga ana tjetër në asnjë tekst shkollor, as në shkollën fillore dhe as në atë të mesme, nuk flitet për mekanizmat e drejtësisë transicionale”, tha Blakaj.

Fatmir Bytyqi këshilltar i ministrit të Arsimit, tha se është krijuar konfuzitet sa i përket librave të historisë dhe se kjo ka ndikuar që librit shumë pak t’i besohet.

“ Ne e kemi pasur dhe një histori tjetër, që e kemi pasur të fshehur, një histori që se kemi ditur as kush e ka shkruar, e që ne e kemi lexu. Kemi qenë para një realiteti, t’i besojmë librit dhe mësuesit të historisë, apo t’i besojmë atij libri, që e kemi mbajtur fshehtas. Krejt këto konfuzione tek të rinjtë, kanë ndikuar që fakt ne t’i besojmë shumë pak librit. Mjerisht ne kemi të kaluar, kemi kaluar një luftë. Pas luftës e dimë se çfarë cilësie, kush ka shkruar libra. Sot jemi para një situate që për librat e historisë, ne mund të flasim dhe mund të themi se libri duhet t’i plotësoj këto kritere didaktike pedagogjinë….Jemi para një situate kur vërtetë a mund ne tash komplet me fshi të kaluarën. Është jashtëzakonisht vështirë. Megjithatë puna që do të bëhet dhe uroj që të bëhet me këto libra, është një punë e mundimshme, sepse vështirë harrohet ajo. Por unë besoj që të bà «jmë libra sa më të mirë, që vërtetë të përballojmë dhe të ballafaqohemi realisht me situatën nëpër të cilën kemi kaluar”, tha ai.

Arbër Salihu, nga Asociacioni i mësimdhënësve të Historisë së Kosovës, tha se në tekstet e historisë ka pasur mangësi dhe gabime dhe se duhet të ketë tekste të reja.

Ndërsa thotë se historia nuk mund të shkruhet pa fakte dhe të dhëna të sakta, të cilat kanë munguar sa i përket periudhës së luftës së fundit.

“Historia nuk mund të shkruhet pa burime, pa fakte. Fatkeqësisht për këtë periudhën e fundit, akoma nuk i kemi të dhëna të sakta. Sepse ka të dhëna kontradiktore për një ngjarje, personat që kanë qenë aty japin mendime të ndryshme. Dhe ne kemi ardhur në përfundim që është mirë në mënyrë telegrafike të prezantohet historia e fundit e luftës në Kosovë“, tha Salihu.