Presidenti Meta nuk do të dekretojë kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj.
KRYEMINISTRI
Procesi zgjedhor u parapri nga një qëndrim i Kryeministrit Edi Rama që e cilësoi atë një farsë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Edi Rama paralajmëroi se “Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të dorëzojë godinë! Prandaj, stop farsës”. Por pas zgjedhjes së Gudar Beqirajt, në një reagim të dytë Kryeministri tha se “Akademia zgjodhi farsën, ndaj do t’i hiqen fondet dhe ato do t’i shkojnë Universitetit për kërkimet shkencore”. Në replikën e tij me Kryeministrin, nënkryetari i zgjedhur i Akademisë, Myzafer Korkuti, tha: “Nuk është i informuar. Akademia është institucion i pavarur nga qeveria dhe do të ketë fonde sepse ne jemi pjesë e gjithë Projektit Ballkanit Perëndimor në fushën e kërkimit shkencor”. Por edhe pse Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të ketë fonde për këtë Akademi Shkencash e cila duhet të reformohet, në projektbuxhetin e vitit 2018 qeveria ka parashikuar pothuajse buxhet të njëjtë. Për vitin 2017, qeveria Rama i akordoi Akademisë së Shkencave 112 milionë lekë të rinj, ndërsa për vitin 2018 ka parashikuar një fond prej 110,5 milionë lekësh të rinj.



















