Suspendohen dy persona për shkak të vjedhjes së anestetikëve në barnatoren e QKUK

E publikuar: 26/10/2017 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më datë 21 tetor të këtij viti persona ende të panjohur kanë vjedhur 21 shishe me produkte sevofluran – anestetikë që përdoren në Klinikën e Anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Lidhur me këtë çështje kanë nisur hetimet nga ana e prokurorisë së shtetit, janë intervistuar disa persona. Ndërkohë që drejtori i SHSKUK’së, Basri Sejdiu ka suspenduar nga detyra dy persona përgjegjës në mini-barnatorën lokale në Klinën e Anestezionit.

Një shishe me produkte sevofluran – anestetikë që përdoren në Klinikën e Anesteziologjisë në QKUK, kushton rreth 138 euro. E rreth 21 të tilla janë vjedhur nga kjo Klinikë nga persona ende të panjohur. Për këtë punë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK’së, Basri Sejdiu ka kërkuar suspendimin e dy përgjegjësve që i kanë pasur qelës e barnatores e cila është e vendosur në Klinikën e Anestezionit. Këtë fakt e ka bërë të ditur për Gazetën Express, zyra e ud. të drejtorit të SHSKUK’së, Basri Sejdiut.

“Menjëherë ka kërkuar raport me shkrim lidhur me rastin, po ashtu të ftohet policia dhe instancat tjera kompetente. Të merren masa suspendim- pezullim ndaj përgjegjësve (2) që kanë pasur çelësat e kësaj mini- barnatore lokale që shërben për Klinikën e Anestezioni dhe të hulumtohet rasti në tërësi nga organet kompetente”, thuhet në përgjigjen dhënë Expressit.

E ndërkohë, prokuroria e shtetit është duke i zhvilluar hetimet lidhur me këtë çështje. Express, mëson se janë më shumë se 5 zyrtarë të QKUK’së që janë marrë në pyetje për këtë çështje.

Por, zyrtarë të prokurorisë kanë thënë për Express, se rasti është duke u hetuar andaj nuk mund të japin detaje të tjera.

“Ju informoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të provave si dhe në identifikimin e kryerësve të mundshëm të kësaj vepre penale. Në këtë fazë, çdo e dhënë lidhur me këtë çështje, mund të na i dëmton hetimet”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë dhënë Expressit.

E zyrtarë në SHSKUK, theksojnë se janë në pritje të hulumtimeve nga policia dhe organet tjera kompetente, e poashtu, janë kërkuar deklarata shtesë nga gjithë punëtorët që kanë qasje në ato hapësira të sallave. Puna sipas tyre në bllokun operativ kirurgjik dhe puna është zhvilluar normalisht.