Kandidati i PDK’së Kujtim Gashi të cilin qendra e dërgoi për garën në Kamenicë, ka fajësuar degën e PDK’së në Kamenicë për rezultatin e dobët të PDK’së në këtë qytezë. PDK e cila ka mbajtur pushtetin në këtë komunë, në dy mandatet e fundit, në zgjedhjet e së dielës ka dalë e treta.
Gashi ka thënë se Dega në Kamenicë është plotësisht e rrënuar, duke aluduar kështu në ndarjet që ekzistojnë në PDK’në e Kamenicës.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Gashit.
Të dashur qytetarë të Kamenicës, të nderuar aktivistë të Partisë Demokratike, ju më meritorët aktivistë të ekipës që më keni mbështur pa asnjë rezervë, ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin dhe mbështetjen tuaj përgjatë gjithë fushatës zgjedhore.
Në këtë garë zgjedhore, unë ofrova kapcitetet e mija njerëzore e profesionale në shërbim të qytetit tim, gjë që jam mirënjohës për mbështetjen dhe besimin që mora në këtë rrugëtim, nga lideri z. Kadri Veseli, e u përkraha pa rezervë nga shumë miq të vullnetit të mirë.
Unë garova duke prezantuar platformën qeverisëse për qytetin tim, duke shfaqur mentalitetin qeverisës ndryshe, me fokus në transparencë, llogaridhënje e bashkëvendimmarrje si dhe duke u përpjekur për të rimëkëmbur identitetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Kamenicë, e cili ishte dhe vazhdon të jetë thuajse tërësisht e rrënuar.
Edhe përkundër rrethanave dhe reflektimit jo të mirë të PDK-së në Kamenicë, të krijuar gjatë viteve të fundit, unë së bashku me ekipën time përkrahëse, vullnetarët dhe aktivistët e mrekullueshëm, ofruam gjithë potencialin tonë, njerëzorë, etik e profesional në shërbim të qytetarëve të Kamenicës.
Unë konsideroj se jemi fitues moral së bashku me gjithë ata që më mbështetën me korrektësi, sinqeritet e pa rezervë, andaj së bashku do të rikthehemi fuqishëm.
Synimi im vetëm ishte që të jenë fitues të gjithë qytetarët e Kamënicës, uroj që zgjedheja e tyre të përmbushë pritjet për një qytet me më shumë perspektivë.
Besoj fuqishëm se me mbështetjen e qytetarëve të Komunës së Kamenicës, unë për asnjë çast nuk do të ndërpres aktivitetin tim për të realizuar objektivat tona të përbashkëta drejt zhvillimit të vendit tim të lindjes Kamenicës.
Ju falënderoj të gjithëve dhe ju jam mirnjohës për mbështetjen,
I Juaji Kujtim Gashi!
















