Deputeti Saimir Tahiri do të hetohet në gjendje të lirë. Ky është vendimi i numrave që disponon Partia Socialiste në Parlament. Me 75 vota pro maxhoranca vendosi dje që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri të mos arrestohet, siç kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda, si i dyshuar për bashkëpunim me grupin “Habilaj” në trafikun ndërkombëtar të drogës. Por pavarësisht se akuzat janë të rënda ndaj ish-ministrit Partia Socialiste vendosi që ta mbrojë atë deri në fund dhe të lejojë vetëm kontrollin e banesës së Saimir Tahirit, tashmë i përjashtuar nga grupi dhe nga të gjithë strukturat e PS-së.
Pavarësisht se kryeministri Rama pezulloi Tahirin nga të gjitha funksionet në Partinë Socialiste, ai vendosi që ta mbrojë atë deri në fund në Parlament, duke mos e dorëzuar tek organet e drejtësisë, pa patur imunitetin e deputetit. Ky vendim i Ramës shënon njëkohësisht një shkelje të ligjit. Rregullorja e Kuvendit parashikon që votimi për heqjen apo mosheqjen e imunitetit të një deputeti të kryhet në mënyrë të fshehtë. Pra, vota e deputetëve të mos dihet. Siç duket, frika nga rrjedhja e votave nga grupi socialist kundër Tahirit bëri që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi të vendos për votim të hapur për ish-ministrin, ndryshe nga si është vepruar për deputetë të tjerë. Në parlamentin shqiptar u është hequr imuniteti 24 deputetëve.
Votimi në Kuvend
Me votim të hapur kundër arrestimit të ish-ministrit Saimir Tahiri votuan 75 deputetë të dy grupeve parlamentare. Nga Partia Socialiste nuk pati asnjë votë pro arrestimit dhe po kështu votuan edhe tre deputetë të grupit parlamentar të Partisë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në sallë ishin të pranishëm 134 deputetë. Partia Socialiste kishte 72 deputetë dhe këtyre iu bashkuan edhe 3 votat e PDIU-së, Aqif Rakipi, Bujar Muça dhe Reme Lala që votuan kundër prokurorisë dhe pro Tahirit. Në fund të seancës nuk pati sqarim nga PDIU-ja për këtë votë.
Kundër raportit të maxhorancës, që nuk lejonte arrestim të Tahirit, votuan 60 deputetë të opozitës. Ndërkohë është rrëzuar kërkesa e opozitës dhe e prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, me 75 vota pro dhe 60 kundër. Ish-ministri i Brendshëm, i cili ishte objekti i mbledhjes së seancës së djeshme parlamentare, ishte prezent në sallë vetëm në fillim, kur edhe mbajti një fjalë shumë të shkurtër. Në momentin e votimit për imunitetin e Tahirit nuk ishin Fatmir Xhafaj, Tom Doshi, Vangjel Tavo dhe Agron Çela.
Rregullorja
Rregullorja parashikon që votimi për heqjen apo mosheqjen e imunitetit të një deputeti duhet të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe jo të hapur siç u veprua për Tahirin. “Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi.
Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit”, thuhet në nenin 118, pika 4 të Rregullores së Kuvendit. Votimi i fshehtë mundëson që deputetët të votojnë siç ata mendojnë pasi vota nuk diktohet nga sistemi dhe njëkohësisht secili të vendos të dalë mbi vendimin e grupit. Siç duket, në Partinë Socialiste ka pasur mendim të ndarë sa i përket arrestimit apo jo të deputetit Tahiri dhe kjo ka qenë arsyeja pse Ruçi vendosi të shkelë Rregulloren që rregullon të gjithë veprimtarin e seancave plenare.
Mbrojtja e Tahirit
Seanca parlamentare nisi me një fjalë të shkurtër të ish-ministrit Saimir Tahiri, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar arrestimin pas dyshimeve të arsyeshme se ai është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, si mbështetës i vëllezërve Habilaj. Në fjalën e tij në Kuvend, ish-ministri Tahiri tha se mirëpret çdo lloj vendimi të deputetëve, duke shtuar se rruga e tij nuk ndalet këtu. Ai tha se do të vijojë betejën e tij me drejtësinë. “Kjo sallë ka dëgjuar shumë njerëz që janë betuar e përbetuar, kështu që unë do ia kursej çdo fjalë timen në lidhje me këtë. Nuk pres ta gjej të drejtën time këtu në Parlament, por para drejtësisë, kështu që mirëpres çdo vendim tuajin. Rruga ime nuk ndalet këtu”, tha Tahiri.
Pankarta kundër drogës
Seanca e djeshme parlamentare, ashtu siç e dikton Rregullorja e Kuvendit, nuk pati debate dhe replika të gjata. Koha më e gjatë iu rezervua dy deputetëve, një nga maxhoranca dhe një nga opozita, për të lexuar raportet e dy palëve që u hartuan në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet lidhur me provat që paraqiti Prokuroria që kërkoi hetimin e Tahirit në gjendje arresti. Krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi morën fjalën në fund të 60 minutave që ishin parashikuar për diskutim të lirë. Ndërkaq ulëset e opozitës ishin të mbushura me pankarta ku shkruhej qeveria mafioze, e drogës, etj. “Qeveria e krimit”, “Qeveria mafioze”, “Jo drogës”, “Kundër drogës”, “Kundër krimit”, ishin disa nga mbishkrimet e pankartave që mbanin në duar deputetët e opozitës. Më herët vetë krerët e dy partive kryesore të opozitës por dhe eksponentë të tjerë të tyre kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje të tij me krimin. Një pankartë ishte edhe te vendi ku ulet Rama, që u hoq pa hyrë ai.
Votimi në Parlament
Prezenca, 134 deputetë të pranishëm në sallë
Votimi i raportit të maxhorancës kundër arrestimit të Tahirit
73 vota të PS-së, 3 vota të PDIU-së
Vota kundër raportit të maxhorancës, 60 (PD, LSI dhe parti të tjera)
Munguan: Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Tom Doshi (i partisë PSD)
Raporti i opozitës pro arrestimit të Tahirit
60 vota të PD-së, LSI-së dhe aleatët
75 vota kundër raportit të opozitës (PS dhe PDIU)
Munguan: Agron Çela dhe Vangjel Tavo (LSI)
Noka: Dokumenti i Katanias që tregoi Tahiri fals
Deputeti i Partisë Demokratike,Flamur Noka, deklaroi dje në Parlament se dokumenti që publikoi dy ditë më parë deputeti Saimir Tahiri nuk është i vërtetë. “Dua t’ju bëj me dije se dokumenti i paraqitur dje nga Saimir Tahiri nuk është me numër protokolli, pra është fals”, tha deputeti i PD-së. Dy ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit publikoi një dokument, që siç tha ai e kishte marrë nga Prokuroria e Katanias. Tahiri tha se ai dokument vërtetonte se ndaj Tahirit nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë procedim nga organet italiane, prej nga erdhi edhe dosja voluminoze me përgjime të vëllezërve Habilaj. Sipas interpretimit të Tahirit emri i tij nuk figuron fare në Prokurorinë e Katanias, ndërsa nga ana tjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti akuzën dhe kërko masën më të rëndë, atë të arrestit me materiale që i siguroi vetëm për 48 orë.
Ndërkohë, gjatë debateve të Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, tre prokurorët që janë marrë me çështjen e Saimir Tahirit, pranuan që nga autoritetet italiane nuk ka procedim penal dhe hetim të posaçëm për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ata thanë se kërkesa e tyre për arrestimin e Saimir Tahirit ka ardhur pas lidhjes së fakteve të veçuara dhe për këtë deklaruan tre prova. Prova e parë ishte kapja e 3.5 ton lëndë narkotike kanabis sativa, e sekuestruar nga autoritetet italiane, që dyshohet se është trafikuar nga grupi i strukturuar kriminal Habilaj. Prova e dytë ishte sekuestrimi një sasie tjetër, 3978 kg lëndë narkotike e sekuestruar në banesën e bashkëpunëtorit të Habiljave, A.Koçerri në Vlorë. Prova e tretë e paraqitur nga prokuroria lidhej me dokumentet e shitjes së automjetit me targa AA 003 GB nga deputeti Saimir Tahiri tek Artan Habilaj.
Zyrtari i lartë amerikan: Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit
Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yeee në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, pas vizitës në Kosovë, është pyetur edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik droge. Zyrtari amerikan ka dhënë këtë përgjigje. “Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë. Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se reformat janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.
I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shenjëstrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”.

















