HMD Global nisi një program beta të testimit të versioneve të reja madhore të Android përpara se të jenë të gatshëm për masat.
Kompania tha se nga dita e sotme përdoruesit e Nokia 8 mund të regjistrohen për të testuar Android Oreo.
Shefi i produktit pranë HMD tha në rrjetin social Twitter se këtij programi do ti bashkohen së shpejti edhe Nokia 3, Nokia 5 dhe Nokia 6.
Testuesit Beta do të jenë të parët që marrin Android 8.0 Oreo, dhe duke provuar softuerin do të ndihmojnë kompaninë të krijojë një eksperiencë më të mirë për një audiencë më të gjerë.
Për tu bashkuar nga ky moment versioneve beta, duhet të keni një Nokia 8 si fillim. Sapo të regjistroheni dhe identifikoni numrin IMEI të telefonit, do të merrni një version beta përmes OTA (Over-the-Air.)
Pasi të keni bërë kërkesën, do të duhen 12 orë deri kompania të aktivizojë programin tuaj beta dhe më pas mund të kontrolloni në Settings > About Phone > System Updates.
Për të ndarë përshtypjet tuaja lidhur me versionet beta, mund të përdorni aplikacionin e instaluar paraprakisht Feedback ku mund të diskutoni me të tjerë anëtarë të komunitetit të Nokia. /PCWorld Albanian