Ish-ministrja turke e sfidon Erdoganin, formon parti të re

E publikuar: 25/10/2017 15:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një politikane e rëndësishme nacionaliste dhe ish-ministre turk ka njoftuar sot se e ka formuar një parti të re politike, e cila mund të përbëjë sfidë të madhe për presidentin Tayyip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen pas dy viteve.

Ish-ministrja e Brendshme, Meral Aksener, e cila pa sukses e kundërshtoi referendumin e Erdoganit për rritjen e pushtetit presidencial prillin e kaluar, ka thënë se Turqia ka nevojë për ndryshim pas gati 15 vjet udhëheqje nga partia e tij, AK, transmeton Express.

Partia e saj, Iyi Parti (Partia e Mirë) shihet nga shumë persona në Turqi si njëra nga partitë më sfiduese të mundshme për Erdoganin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të caktuara për vitin 2019.

“Turqia dhe populli i saj janë të lodhur, shteti është dobësuar dhe rendi publik shthurur. Nuk ka rrugë tjetër përveç ndryshimit të atmosferës politike”, ka thënë Aksener në një ceremoni në Ankara për të shënuar themelimin e partisë së saj.

Aksener u përjashtua vjet nga Partia Levizja Nacionaliste (MHP), partia më e vogël opozitare nga tri sa janë në Parlamentin turk, pasi dështoi në përpjekje për ta rrezuar liderin e partisë Devlet Bahceli, përkrahja e të cilit e ndihmoi Erdoganin drejt një fitoreje të ngushtë në referendumin që ia zgjeroi pushtetin atij.

Që prej atëherë, 61-vjeçarja është bërë njëri prej zërave më të rëndësishëm në vend, duke e kritikuar Erdoganin dhe Qeverinë turke. /Express/