I akuzuari për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës, Enver Sekiraqa doli sot para Gjykatës së Apelit gjatë të cilës u diskutua për masën e sigurisë ndaj tij pas dyshimeve se ai shkeli urdhrin e Gjykatës për arrest shtëpiak.
Të enjten, Enver Sekiraqës iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Por, Sekiraqa nuk qëndroi në shtëpi më shumë se 30 orë, pasi që ai u mor dhe u dërgua prapa grilave në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Kjo nën dyshimin se ai theu urdhrin e Gjykatës për arrestin shtëpiak.
Disa orë pas lirimit të tij, Enver Sekiraqën e kishin vizituar dy persona që nuk janë të familjes së tij.
Në seancën e sotme për caktimin e masës së sigurisë, i pandehuri e pranoi se nuk e ka lexuar urdhrin e Gjykatës dhe se nuk ka pasur kohë, sepse porsa ka hyrë në shtëpi ka gjetur mysafir aty.
“Edhe pse nuk e kam bërë me qëllim e pranoj fajësinë“, tha Sekiraqa para trupit gjykues.
Gjykata, ndërkohë, njoftoi se nuk do të vendos sot për masën e sigurisë në rastin e të akuzuarit për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.
Për këtë rast, Enver Sekiraqa është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 37 vjet burgim.