Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e Enver Sekiraqës, pasi lënia në liri e tij përbën rrezik për veprimtari kriminale dhe arratisje.
Kështu ka thënë Prokurori i EULEX’it në rastin ndaj Enver Sekiraqës, gjatë seancës në Gjykatën e Apelit e cila po mbahet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, raporton Gazeta Express.
Derisa ka arsyetuar kërkesën e tij për mbajtje ne paraburgim të Enver Sekiraqes, prokurori i ka treguar trupit gjykues se në shtator te këtij viti prokuroria e shtetit i ka pranuar tri letra anonime, në të cilat thuhet se vazhdon ende veprimtaria e grupit kriminal te Sekiraqës.
Prokurori ka thënë se lënia në liri e të dënuarit Sekiraqa, do të mundësonte që ai të vazhdonte të kontrollonte veprimtarinë e grupit të tij kriminal si dhe do të paraqiste rrezik për arratisje.
Seanca po zhvillohet pasi javën e kaluar e njëjta gjykatë e liroi Sekiraqën në arrest shtëpiak, por e ktheu serish në paraburgim pas një dite.
Sekiraqa është dënuar nga shkalla e parë, Gjykata Themelore me dënim unik prej 37 vitesh burg për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza./Gazeta Express















