Interi ndal Napolin, vjen barazimi i parë sezonal për djelmoshat e Sarrit (Video)

E publikuar: 22/10/2017 06:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qetësi e siguri në fushë, spektakël në tribuna. Këto ishin tre vetitë që karakterizuan derbin mes Interit dhe Napolit që në fund përfundoi me rezultat 0-0.

Napolitanët ishin më të mirë, kontrolluan lojën dhe rrezikuan kohë pas kohe, por në fund ndaleshin para magjisë në duart e portierit Samir Handanovic.

Takimi filloi me një lojë të qetë dhe të sigurt nga të dy skuadrat, duket sikur dy anët kishin frikë të provonin diçka më shumë.

Shansi i parë në takim erdhi në minutën e 20-të pas një aksioni të filluar nga Elseid Hysaj, i cili pasoi bukur në zonë për Jose Calleon, por Samir Handanovic priti bukur. Nga topi i kthyer gjuajti edhe Dries Mertens, por portieri slloven nuk u befasua.

Lorenzo Insigne tentoi disa herë në këtë takim nga distanca, por nuk ishte asnjëherë i rrezikshëm. Foto: Getty Images

Në minutën e 39-të erdhi dhe gjuajta e parë e Interit në portën kundërshtare dhe normalisht nga Mauro Icardi, i cili në këtë minutë preku topin për herë të parë në portën kundërshtare.

Zikaltrit të zgjuar nga gjumi rrezikuan në minutat e fundit të pjesës së parë edhe me Borja Valleron, por Pepe Reina nuk lejoi që rezultati të ndryshojë dhe me barazim pa gola skuadrat shkuan në pushim.

I njëjti skenar ishte edhe në pjesën e dytë, minutat e parë u dominuan nga vendasit dhe në fund mysafirët shfaqën shenja jete.

Insigne i dëshpëruar nga rastet e shpërdoruara lëshoi fushën në minutën e 80-të. Foto: Getty Images

Napolitanët të cilët vazhdimisht mbanin topin rrezikuan seriozisht në minutën e 83-të me një gjuajte të fortë nga distanca me anë të Piotr Zielinski , por Handanovic bëri një tjetër pritje.

Mertens rrezikoi në minutën e 90-të, por Handanovic edhe njëherë tregoi se është një nga portierët më të mirë jo vetëm në Serie A, por edhe Evropë.

Pas këtij barazimi Napoli vazhdon në vendin e parë me 25 pikë, ashtu dhe Interi në të dytin me 23 pikë.

Hysaj premtoi para takimit se do bënte gjithçka për të ndalur Icardin dhe në fund ia arriti. Foto: Napoli Twitter

Ndeshja e ardhshme e skuadrës së Elseid Hysajt që luajti gjatë gjithë takimit është ndaj Genoas, kurse zikaltir presin Sampdorian.

Vlen të theksohet se ky ishte barazimi i parë për Napolin këtë sezon, kurse për Interin i dyti. Këto dy skuadra vazhdojnë të jenë të pamposhtura këtë sezon. /Telegrafi/