Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është deklaruar hapur sot në mbrojtje të paraardhësit të tij Saimir Tahiri, që pritet të arrestohet, se për të nuk ka prova dhe se “segmente apo individë të prokurorisë po përdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike.”
Xhafaj ka theksuar se para se “të jem ministër, jam ligjvënës, jam jurist”, për të bindur mediat se ai i ka vlerësuar dyfish provat e paraqitura nga Prokuroria.
“Ajo çfarë është shkruar nga Prokurorët e Krimeve të Rënda nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në provë, që do të thotë se – sipas meje – se segmente apo individë të Prokurorisë po përdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike. Pra nga ato që kam parë dhe jam bërë publik. Nëse Prokuroria ka çështja të tjera, le t’i shohë.
Por, para se të jem ministër, jam ligjvënës, jurist dhe nga ky këndëvshtrim, precedentë të tillë janë të rrezikshëm: janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe marrëdhëniet parlamentare.
Nëse Prokuroria disponon prova të tjera mbetet për t’u gjykuar. Unë druaj dhe jam i preokupuar mos të ndodhë ajo që ndodhi në Vlorë, kur prokurori para se të merrte provën, mendoi si të përdorej politikisht për një çështje. Një gjë e tillë e përsëritur dhe e dëshmshme për autoritetin e organit të akuzës.”


















