Shefqet Riza, babai i policit të vrarë Triumf Riza, është lutur tek Zoti pak çaste pasi ka kuptuar lajmin për lirimin nga paraburgimi të Enver Sekiraqës.
“Nuk e di unë. Tepër e çuditshme. Me 37 vjet është shpallë (i dënuar). Nuk muj me marrë me mend këtë. Zoti na rujtë”, ka thënë Riza për KALLXO.com.
Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se i akuzuari për vrasjen e djalit të tij është liruar nga paraburgimi.
Pasditen e sotme avokatja e Enver Sekiraqës ka konfirmuar se Gjykata e Apelit ka marrë vendim që klientit të saj t’ia stopojë masën e paraburgimit.
Sekiraqa ishte dënuar nga shkalla e parë me 37 vjet burgim nën akuzën për planifikimin e vrasjes së policit të njësive speciale Triumf Riza.
Lënda e tij është duke u trajtuar në shkallën e dytë nga Gjykata e Apelit.
Sekiraqa ishte vetëdorëzuar në polici pas disa muajsh arratisje nga momenti kur polici Triumf Riza ishte vrarë në njërën nga lagjet e Prishtinës.