Chrome 62 më shumë paralajmërime për sajtet HTTP

E publikuar: 19/10/2017 00:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Google publikoi ditën e sotme Chrome 62 për Windows, Mac dhe Linux. Disa prej të rejave janë përmirësime në API-në Network Quality Estimator, përmirësime në fontet OpenType dhe më shumë paralajmërime lidhur me HTTP.

Versionin më të fundit të Chrome mund ta shkarkoni duke përdorur përditësuesin e shfletuesit ose nga faqja google.com/chrome.

Chrome është më shumë sesa thjesht një shfletues. Me mbi 1 miliard përdorues, është një platformë e rëndësishme për zhvilluesit.

Ndërsa Chrome përditësohet rregullisht, zhvilluesit duhet të sigurohen se po përfitojnë nga avantazhet më të fundit të tij.

Në Chrome 62, API Network Quality Estimator ofron për zhvilluesit më shumë matës të performancës së rrjetit.

Ky version i shfletuesit fiton mbështetjen për variacionet e tekstit OpenType. Me W3C Media Capture nga elementët DOM, sajtet mund të kapin përmbajtje në kohë reale në formën e MediaStream nga HTMLMediaElements.

Por ndryshimi më i madh i shfletuesit është ajo që Google zbuloi në muajin Prill. Si pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të etiketuar sajtet HTTP si të pasigurta, versioni 62 i Chrome i quan të pasigurta ato sajte HTTP që kërkojnë të dhëna personale dhe sajtet HTTP në modalitetin Incognito.

HTTPS është një version më i sigurtë i protokollit HTTP përdorur për të lidhur përdoruesit me uebsajtet.

Kjo fushatë e Google ka filluar që me Chrome 56 në Janar kur uebsajtet që kërkonin të dhëna kartash krediti etiketoheshin të pasigurta. /PCWorld Albanian