Nëse doni të njiheni me nivelin e korrupsionit të pushteteve, indikacioni më i mirë është transparenca e tyre. Sa më i fshehtë pushteti, aq më i thellë është korrupsioni. Historikisht pushtetet urrejnë transparencës, sepse transparenca nënkupton llogaridhënie për secilin veprim, që rrjedhimisht do të thotë hapësirë më të madhe për kritikë ndaj pushteteve. Kjo është edhe arsyeja që kapja e secilit shtet fillon me ngulfatjen ndaj shtypit të lirë.
Shtypi i lirë është e vetmja dritare ku qytetari mund të merr një këndvështrim ndryshe nga ai që propagandohet nga qeveria. Pra të gjitha vendet në botë përbëhen prej qytetarëve dhe pushtetit, dhe dallimi i vetëm mes vendeve demokratike dhe diktatoriale është shtypi i lirë. Nuk gjen vend demokratik pa shtyp të lire, dhe anasjelltas, nuk ka shtet diktarorial me shtyp të lirë. Se cila është më e rëndësishme, mendoj Thomas Jefferson, Presidenti i dytë i SHBA-ve e përmbledh më së miri në një nga letrat e tija ku shkruante se, përpara do të zgjidhja një shtyp të lirë pa qeveri, se një qeveri pa shtyp të lirë. Më shkurt, shtypi i lirë jo vetëm e mbështet demokracinë, por vet demokracia varet nga shtypi i lirë,
Dhe nëse shtypi i lirë qenka aq me rëndësi, atëhere pyetja rrjedhimisht vjen, me gjithë këto sulme ndaj saj, a është vërtet Kosova vend demokratik nëse sulmohet shtypi i lirë, dhe në interes të kujt është sulmi ndaj gazetarëve?
E para, unë personalisht nuk besoj se pushteti ka përgjegjësi direkte në sulmin e gazetarëve. Kjo për shkak se jam i bindur që sulmet ndaj gazetarëve vijnë nga banditë të dogmatizuar. Këta janë kryesisht rrugaçë që e shenjtërojnë njeriun dhe janë në gjendje të mbrojnë dhe të kryejnë veprime kriminele në emër të tyre apo ideologjive që ata mbajnë. Këta individ lirinë e shprehjes e njohin vetëm propagandën që ju shkojnë për shtati bindjeve të tyre. Mirëpo këta banditë i has gjithandej nëpër vendet demokratike, por jo edhe veprimet e tyre. Pra nuk është se Amerika nuk ka banditë që synojnë të ngulfatin mediumet apo dhe nuk dëshirojnë të vrasin gazetarët, mirëpo aty ka një pushtet që mbron shtypin e lirë dhe çfarëdo kërcënimi ndëshkohet aq ashpër sa që pak kush ka guximin të mendoj atë punë. Pra vendet demokratike e mbrojnë shtypin e lirë, derisa arsyeja pse banditët sulmojnë sot gazetarët në Kosovë është mu për shkak se nuk ndëshkohen, për të mos thënë se qëllimisht nuk arrestohen nga ta.
Ku jemi sot?
Kjo na ka sjellë në një situatë ku unë besoj se pushteti në Kosovë ka krijuar një partneritet në heshtje me banditët. Thjesht, pushteti nuk e do shtypin e lirë, por as nuk e sulmon direkt atë, mirëpo njëkohësisht as nuk e mbron atë nga banditët, që indirekt e bënë përgjegjës për këto krime duke i dhënë hapësirë kriminelëve të veprojnë lirshëm.
Si e dimë?
Ja dy argumente. E para, dhe kryesorja, deri sot ka pas shumë sulme kundër gazetarëve dhe asnjë nga kriminelët nuk kapen nga pushteti. Kjo ka krijuar një situate ku gazetarët frikohen, kurse kriminelët inkurajohen që të vazhdojnë të veprojnë lirshëm. Pse, mund të thotë dikush të mbahet pushteti përgjegjës për veprat e kriminelëve? Sepse pushteti e ka për obligim mbrojtjen e gazetarëve dhe kapjen e kriminelëve. Ajo është puna e pushtetit, dhe prandaj heshtja apo mos-reagimi i tyre nënkupton mospërmbushje të detyrave, dhe që rrjedhimisht e bën pushtetin përgjegjës.
Argumenti i dytë është mos-përkrahja e gazetarëve nga politikanët. Në protestën e organizuar të Shtunën nga Asociacioni i Gazetarëve nuk doli asnjë politikanë në përkrahje me ta, që tregon se jo vetëm mbrojtja, por as solidarizimi nuk me gazetarët dhe shtypin e lirë nuk është një ndër prioritetet e tyre.
E them prap, nuk ka interes që politikanët të luftojnë për një shtyp të lirë, sepse kjo e fundit është armiku më i madh i tyre. Pra heshtja e tyre ofron vetëm komoditet në qeverisje, sepse kriminelët cenojnë lirinë e shprehjes të qytetarëve, por asnjëherë nuk kërcënojnë pushtetarët apo politikanët të drejtën e propagandës. Edhe nëse kërcënohen, politikanët kanë policinë dhe gjykatat që i mbrojnë shumë shpejt, diçka që nuk aktivizohet kur gazetarët kërcënohen. Dhe prandaj nuk është e rastësishme që bota demokratike e klasifikon pushtetin tone si regjim autoritarë, kuse vendin pjesërisht të lirë.
Qytetarët si, një shumicë e heshtur.
Në ekonomi përmendet Ligji 80/20. Pra kjo flet për konceptin ku 80% e punëve mbarohen nga 20% të njerëzve. E njëjta analogji mund të tërhiqet kriminelët, ku 20% të kriminelëve janë përgjegjës për 80% të krimeve. Përafërsisht ngjashëm ndodh me qeverisjen, ku përafërsisht 20% të njerëzve janë përgjegjës për 80% të këqijave të këtij vendi. Më shkurt, ne e dimë se Kosova ka një problem me një grusht politikanësh dhe kriminelësh, që unë nuk besoj e kalon as 20% të popullsisë, mirëpo kjo pakicë e vogël vazhdon të abuzoj dhe dhunoj lirshëm me shumicën, dhe arsyeja pse ekziston ky problem është 90% e qytetarëve, që janë shumica që qëndron e heshtur ndaj krimeve të pakicës.
Kjo heshtje besoj shpjegohet me teorinë që në anglisht njihet si ‘by-stander problem,’ që nënkupton indiferencën e qytetarëve përball një të keqe të përbashkët duke shpresuar se problemi zgjidhet nga dikush tjetër. Në Kosovë ky 80%, pra shumica e qytetarëve, besoj janë “by-standers.” Për shembull, kjo besoj e shpjegon arsyen pse asnjë qytetarë nuk reagoj kur gazetari Vehbi Kajtazi u sulmua nga një bandit në mes të ditës. Asnjë nga qytetarët nuk ka marrë përgjegjësi të reagoj duke pritur që dikush tjetër reagon. Njejtë besoj shpjegohet pse nuk kishte qytetarë të pranishëm në protestën e Asociacionit të Gazetarëve. Pra asnjë nuk del nga komoditeti që të humb një orë duke shpresuar se tjerët protestojnë për ta. E njëjta papërgjegjësi shpjegohet në tragjedinë në Gjilan, kur një i moshuar vdiq në mes të rrugës, derisa qytetarët të shumtë i silleshin vërdallë por asnjë nuk e ndihmonte, duke pritur se dikush tjetër të merr atë përgjegjësi. Dhe ky fenomen shoqëror sot është shndërruar në një papërgjegjësi kolektive. Unë besoj se kjo papërgjegjësi është aq e madhe, dhe besoj shkon aq thellë, saqë nga përvoja me shumë qytetarë kam dëgjuar që një numër i madh i qytetarëve janë aq iluziv sa që ende besojnë se Amerika do të zgjidh të gjitha problemet e tyre. Aq larg besoj shkon ky iluzioni i tyre.
Miq e dashamirë, Amerika e ka çliruar këtë vend prej Serbisë, mirëpo serbët më nuk janë fajtorë, por janë shqiptarët. SHBA-të me aleat kanë kry punën e tyre, tash na mbetet neve ta kryejmë tonën, diçka që kemi dështuar, dhe po vazhdojmë ta neglizhojmë duke qëndruar indiferent ndaj të këqijave që po përballemi. Nuk reagojmë kur sulmohet dhunohet dikush para nesh. Nuk reagojmë kur abuzohet me liritë dhe drejtat tona. Kjo heshtje pra na ka shndërruar në një shoqëri të papërgjegjshme që i jep liri veprimeve të kriminelëve dhe njëkohësisht akomodon pushtetin që të mos reagoj ndaj tyre.
Unë jam thellë i bindur se arsyeja pse Amerika sot qëndron si superfuqi në planetin Tokë është mu për shkak të lirisë së shprehjes, vend ku idetë e ndryshme kanë gjetur hapësirë për të ndërtuar ide të reja, dhe krejt kjo është mishëruar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës, dhe ende mbrohet me xhelozi nga drejtësia dhe populli amerikan edhe pas më shumë se 200 vjet. Liria e shprehjes dhe shtypi i lire është arsyeja kryesore pse SHBA-të gëzojnë progresin ekonomik dhe arritjet shkencore.
Për fund, fillimisht duhet që të mësojmë si të shërohemi nga efekti i indiferencës dhe të fillojmë të marrim përgjegjësi për veten tonë. Duhet të mësohemi t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, sepse askush nuk e bën atë për ne. As Amerika! E keqja më e madhe e këtij vendi mbetemi vetëm ne, pra shumica e heshtur drejt një pushteti të papërgjegjshëm dhe lejojmë që kriminelët të operojnë, abuzojnë, dhe dhunojnë lirshëm me të drejtat, dhe liritë tona. Sa më i fshehtë pushteti, aq më i thellë është korrupsioni, dhe nëse dëshirojmë pushtet të pakorruptuar ne duhet të mos qëndrojmë indiferent kur sulmohet fjala e lirë. Ne duhet të reagojmë sepse kemi miq ndërkombëtarë që kanë sakrifikuar shumë që sot të jemi të lirë. Ne duhet të reagojmë sepse kemi dëshmorë që kanë vdekur që ne dhe gjeneratat e ardhshme të kemi mundësi të mendojnë dhe veprojnë lirshëm. Indiferenca jonë do të ishte tradhti ndaj sakrificës të gjithë tyre dhe gjeneratave që do të vijnë.