Vajza që u përdhunua nga fqinji i saj dhe mbeti shtatzënë, ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Velçan të Pogradecit dhe 15 vjeçarja pas rreth një muaji pritet të sjellë në jetë një djalë. Ajo fillimisht nuk i ka treguar nënës, por infermierja ka zbuluar se vajza ishte shtatzënë. Më pas ajo iu ka treguar prindërve të vërtetën dhe bashkë kanë denoncuar 55 vjeçarin Ligor Biba, i cili është arrestuar nga policia.
Si ndodhi ngjarja?
Isha vetëm në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja. Ishte muaji mars dhe prindërit kishin shkuar në përkujtimoren e gjyshit, ndërsa vëllai ishte në mal duke kullotur bagëtitë. Po laja enët kur kam parë te dera e kuzhinës Ligorin. Nuk e ndjeva kur hyri sepse dera e jashtme e shtëpisë ishte e hapur, nuk i mbyll kush shtëpitë në fshat gjatë ditës. Megjithatë nuk i thashë gjë pse hyri pa trokitur se e njihja, kishim hyrje-dalje dhe kujtova se kishte ardhur për të takuar babain. Nuk arrita madje as t’i thosha gjë, sepse ai direkt m’u afrua dhe më shtyu. Atëherë u frikësova, por ai me forcë më detyroi të kryente marrëdhënie seksuale me mua. Nuk kisha forcë ta ndalja, pastaj u largua menjëherë.
Si ka qenë në ato momente?
Ka qenë i dehur, mendoj. Mbante erë alkool.
Përse nuk u keni treguar prindërve për atë që ndodhi?
Kisha frikë, por edhe më vinte turp, fshati do të më gjykonte, nuk do të më besonin. Kisha edhe frikë nga babai se mos mendonte që e kisha unë fajin, megjithëse unë nuk bëra asgjë të keqe.
Kur e kuptuat se kishit mbetur shtatzënë?
E mësova nga infermierja e fshatit. I tregova mamit se kisha një dhimbje barku. Pasi më ka shoqëruar tek infermierja, ajo e mori mamin dhe diçka i tha mënjanë. Pastaj më çuan te një gjinekolog dhe atje u zbulua që unë pres një fëmijë, madje di edhe që është djalë. Pas kësaj i tregova nënës çfarë më kishte ndodhur marsin e këtij viti. Më pas me prindërit vendosëm të bënim denoncimin në polici. Atje thirrën edhe një psikologe që unë të tregoja ngjarja./L.P./Dritare.net


















