Xhafaj-Policëve: Mos punoni me dy standarde

E publikuar: 16/10/2017 09:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u ka tërhequr vëmendjen disa strukturave të Policive Vendore, duke i “akuzuar” se po veprojnë me standard të dyfishtë.
Sipas ministrit, është e papranueshme që disa nga strukturat tona vendore të Policisë së Shtetit të funksionojnë me standarde dyfishe.
Nga njëra anë, ato ushtrojnë me të drejtë gjithë përgjegjësitë dhe kompetencat ligjore, në rastin e riparimit pa marrë lejen përkatëse të verandave, çative apo të tjera si këto. Ndërsa nga ana tjetër, në disa raste të tjera, Policia është treguar tolerante ndaj ndërtimeve tërësisht të paligjshme, apo më keq akoma, kur këto ndërtime dëmtojnë rëndë mjedisin, sikurse ishte rasti i ndërtimit të paligjshëm në luginën e Vjosës.
Përmes një letre që Xhafaj u ka nisur të gjithë drejtuesve të Policive Vendore, kërkohet angazhim maksimal për kontrollin e territorit e konstatimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, duke mos toleruar asnjë ndërtim, që në disa raste përbëjnë krim mjedisor.
LETRA E XHAFAJT
Duke iu referuar denoncimeve të bëra nga shoqëria civile dhe media, për një situatë konkrete paligjshmërie të ndodhur prej disa kohës në Grykën e Këlcyrës, në shtratin e lumit Vjosa, ministri i Brendshëm, u ka nisur letër drejtuesve të Policisë. “Në lidhje me ngjarjen në fjalë, ku janë kryer ndërtime të paligjshme si dhe janë konstatuar edhe tentativa për devijime të paligjshme të burimeve ujore, sapo jam vënë në dijeni, kam kërkuar në mënyrë të menjëhershme që Shërbimi i Çështjeve të Brendshme e Ankesave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, të zhvillojnë një inspektim mbi përgjegjësitë përkatëse të Policisë së Shtetit në Qark në këtë rast, dhe rivendosjen e ligjshmërisë në territorin përkatës.
Në raportin e SHÇBA dhe DPPSH, evidentohet se, pavarësisht faktit që është konstatuar një ndërtim i paligjshëm dhe një vepër penale e kryer ndaj pronës publike dhe mjedisit, punonjësit e policisë, që ushtrojnë detyrën në atë territor, nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore për të referuar çështjen në Prokurori apo për të zbuluar autorin.
Është e papranueshme që disa nga strukturat tona vendore të Policisë së Shtetit të funksionojnë me standarde dyfishe. Nga njëra anë, ato ushtrojnë me të drejtë gjithë përgjegjësitë dhe kompetencat ligjore, në rastin e riparimit pa marrë lejen përkatëse të verandave, çative apo të tjera si këto, ndërsa nga ana tjetër, në disa raste të tjera policia është treguar tolerante ndaj ndërtimeve tërësisht mjedisin, sikurse ishte rasti i ndërtimit të paligjshëm në luginën e Vjosës”, shkruan Xhafaj.