Kriza e Koresë së Veriut, kërcënimi ndaj rendit dhe sigurisë globale

E publikuar: 16/10/2017 03:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

1. Disa të dhëna për Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut (KV) ndodhet në gadishullin korean në Azinë Verilindore. Ajo kufizohet në veri dhe veriperëndim me Kinën dhe Rusinë, në jug kufizohet me Korenë e Jugut (KJ) përgjatë zonës së demilitarizuar, në lindje me Detin e Japonisë, dhe në perëndim me Detin e Verdhë.

KV ka një popullsi prej rreth 25 milionë banorësh dhe një sipërfaqe prej 120 mijë km2 , dhe kryeqyteti i saj është Feniani (Pyongyang). Regjimi i Koresë së Veriut pretendon se është qeveria legjitime e të gjithë gadishullit të Koresë, pra i Koresë së Veriu dhe të Jugut.

KV është përcaktuar ndër vendet më të varfra dhe shteti më i izoluar në botë. Të ardhurat vjetore për frymë të popullsisë janë 1000 USD, tridhjetë herë më pak se Koreja e Jugut, e cila e ka 30 000 USD. Përveçse zë ndër vendet e fundit në botë për nivelin e varfërisë, ajo rreshtohet ndër vendet e fundit në botë për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. Po ashtu, sipas të dhënave të OKB-së, Koreja e Veriut ka mbi 100 mijë të burgosur politikë, ka disa dhjetëra mijëra të zhdukur, të torturuar, apo të nënshtruar ndaj krimeve makabre më çnjerëzore që ka njohur njerëzimi.

Qeveria veri-koreane, përveçse si qeveri komuniste, është konceptuar si një “teokraci hyjnore e drejtuar nga një Lider Hyjnor”. Sipas kësaj doktrine, populli korean është indoktrinuar nga sistemi se i ati Kim JongUn, që vetë ka lindur në ish-Bashkimin Sovjetik, e ka lindur djalin e tij, Liderin Suprem, si figurë hyjnore të paralelizuar me Jezu Krishtin apo Muhametin, në një lindje legjendare në një mal hyjnor në Kore.

2. Ç’po ndodh në Korenë e Veriut?

KV u krijua si shtet në vitin 1953, si rezultat i ndarjes në dy pjesë pas “Luftës së Koresë”: Koreja e Veriut që zgjodhi regjimin komunist të dinastisë më të egër të rajonit nën influencën e bllokut komunist, dhe Korenë e Jugut që zgjodhi rrugën e zhvillimit demokratik të botës perëndimore.

Qysh prej ndarjes në 1953, Koreja e Veriut u krijua si një shtet i bazuar në një regjim dinastie: i pari Kim Il-Sung, më pas i biri i tij Kim Jong-Il, dhe tani nipi i tij, Kim JongUn, i vetëquajtur si “Lideri Suprem”, si udhëheqës shtetëror politik, shpirtëror dhe ideologjik i Koresë së Veriut.

Pse situata e krizës së sotme është shumë e rrezikshme për rendin dhe sigurinë rajonale dhe globale? Kjo krizë është e paprecedentë, sepse ajo është tepër komplekse, përfshihen shumë aktorë, dhe mbart pasoja tepër të paparashikueshme. Përveçse diktatori më i egër i popullit të vet, Kim Jong Un është shumë i rrezikshëm, sepse ai është një diktator me armë bërthamore. Kim Jong Un-i nga njëra anë po zhvillon qindra programe të fshehta, ndërsa nga ana tjetër, kërcënon Korenë e Jugut për ta shndërruar në një “det zjarri”, Japoninë për ta mbuluar me “hirin e armëve bërthamore”, si dhe SHBA-të për t’i goditur në territoret e saj si Guam, dhe deri në pjesën territoriale perëndimore kontinentale të saj.

Synimi i KV është të zmbrapsë të gjitha vendet nëpërmjet forcës së kërcënimit me armët e saj bërthamore. Dy janë parimet kryesore të politikës së KV: A. Mbështetja në forcat e veta, dhe B. Dhuna ushtarake si politikë e parë.

3. Cilat janë synimet dhe implikimet e krizës së KV?

Koreja e Veriut (KV) është një shtet i dështuar komunist me armë bërthamore. Këto shtete të dështuara, kur disponojnë armë bërthamore, bëhen arrogante dhe u imponojnë shteteve të rajonit politikat e tyre. Imagjinoni që SHBA, Japonia apo Koreja e Jugut t’u nënshtrohen politikave shantazhuese dhe diabolike të diktatorëve komunistë. Ajo synon ta arrijë këtë duke u forcuar si një fuqi bërthamore, duke detyruar shtetet përreth saj që ta pranojnë si të tillë. Kjo do të ishte fundi i rendit dhe sigurisë botërore të vendosur nga shtetet demokratike të botës moderne.

KV synon të bëhet një Fuqi Rajonale me anë të forcës dhe arrogancës. Regjimi i KV është diktatorial, gjakatar dhe antinjerëzor. Brenda vendit ajo mbijeton me sloganet e madhështisë së regjimit, izolimin e tejskajshëm, dhe shtypjen e armiqve të dinastisë. Nëse zgjidhja që ofrohet për këtë krizë bazohet në ruajtjen e status-kuosë aktuale, me revanshin që ka marrë, Koreja e Veriut nesër do t’i imponojë Koresë së Jugut bashkimin e tyre sipas kushteve të KV.

Përhapja e armëve bërthamore në të gjithë rajonin për vetëmbrojtje. Kjo krizë, nëse menaxhohet keq, do ta kthejë gjithë rajonin në një rajon bërthamor, sidomos Koreja e Jugut, Japonia, e ndonjë shtet tjetër demokratik, të cilat po kërcënohen për t’u goditur nga raketat balistike ndërkontinentale (ICBM), (të ndaluara me Konventa të OKB-së) të pajisura edhe me koka bërthamore. Këto vende demokratike nuk mund të rrinë përjetë nën kërcënimet e një regjimi arrogant dhe terrorist, pra do të fillojnë të mendojnë për programet bërthamore të tyre për vetëmbrojtje. Kjo do ta kthente rajonin në një fuçi bërthamore dhe do të ishte vatra më e madhe e një krize botërore që do të çonte në një luftë të ardhshme botërore.

Imponimi i politikave rajonale dhe globale për qëllime të këqija. Armët bërthamore, kimike dhe biologjike që disponon Koreja e Veriut, si shtet diktatorial dhe i papërgjegjshëm, mund të bëhen problem për të gjitha rajonet dhe vendet demokratike të botës. Nëpërmjet fuqisë së saj bërthamore, kimike dhe biologjike, ajo mund të kthehet në një fuqi rajonale të së keqes dhe mund të imponojë vendimmarrje të mëdha dhe të paparashikueshme për çështje themelore të mënyrës së jetesës së vendeve demokratike. Ky do të ishte një nënshtrim i demokracisë ndaj autokracisë dhe diktaturës.

Përhapja e ASHM në vendet e dështuara në mbarë globin. Kokëfortësia e KV për të mos hequr dorë nga program i armëve bërthamore dhe raketore mund t’i nxiste të gjitha shtetet e dështuara, diktatoriale apo të brishta në mbarë globin, për fillimin e programeve të ASHM (Armë të Shkatërrimit në Masë), sidomos të armëve bërthamore, për qëllime ushtarake. Në këtë mënyrë, bota do të futej në një rrugë të paparashikuar të sundimit nga antiligji i shteteve të dështuara bërthamore, dhe ky do të ishte fundi i të gjithë përpjekjeve të deritanishme për Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.

Përhapja e ASHM në duart e organizatave terroriste, grupeve ekstremiste dhe kriminale. Arsenali bërthamor, kimik apo biologjik i Koresë së Veriut apo shteteve të tjera të diktaturave apo demokracive të brishta, mund të bëhet shumë i rrezikshëm sepse ky arsenal me Armë të Shkatërrimit në Masë (ASHM) mund të transferohet me qëllim në duar të organizatave terroriste në të gjithë globin dhe të destabilizojnë rajone të tjera. Kjo do ta bënte procesin e ASHM një proces të pakontrolluar dhe bota do të ndodhej çdo ditë nën terrorin e kërcënimit bërthamor.

Si konkluzion, nëse regjimit arrogant të KV i bëhen lëshime në vazhdimin e programit bërthamor dhe raketor, Koreja e Veriut mund të ndryshojë trendin e rendit botëror në fuqi, si dhe sistemin e sigurisë globale, duke e kthyer botën në një planet të pasigurt.

4. Arsenali i Armëve të Shkatërrimit në Masë së KV (ASHM): Koreja e Veriut u tërhoq nga traktati i Armëve të Mospërhapjes Bërthamore në vitin 2003 dhe nga ajo kohë e sot mbi të janë ushtruar sanksione të OKBsë, të cilat vazhdojnë edhe sot, i fundit në shtator 2017, për të cilin është votuar unanimisht edhe nga Rusia dhe Kina.

Kjo e bën KV një shtet që nuk u bindet rregullave ndërkombëtare të sigurisë globale. Qysh prej korrikut 2016, disa ekspertë ndërkombëtarë vlerësojnë se KV aktualisht ka 13-21 raketa me mbushje bërthamore, ndërsa disa burime të tjera të besueshme thonë se, me materialet që disponon, KV mund të përgatisë nga 30-60 raketa me mbushje bërthamore.

Fuqia e bombave që po teston KV po rritet nga viti në vit, duke filluar me 2 kilotonë në testin e parë në vitin 2006, në 35 kilotonë në shtator 2016 (krahaso: bomba e parë amerikane në Hiroshima ishte 16 kilotonë), ndërsa bomba e fundit bërthamore e KV vlerësohet nga ekspertët të ketë qenë rreth 100 kilotonë, dhe të ketë qenë një bombë me hidrogjen.

Krahas armëve bërthamore, KV besohet se disponon një arsenal të madh të armëve kimike nga 2,500 deri 5,000 ton, si klorin, fosgjen, zarin, mustard, dhe gaz nervor VX. Këto agjentë kimikë mund të lëshohen me predha artilerie dhe raketa. Besohet se ajo disponon edhe kapacitete të armëve biologjike pathogjene, si ato të anthraksit, të lisë, etj.

Sipas burimeve të inteligjencës amerikane dhe atyre ndërkombëtare, KV disponon në arsenalin e saj rreth 1000 raketa me rreze të ndryshme veprimi: raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga 100 deri 1000 km (Skud apo Hwasong 5-7), raketa me rreze të mesme veprimi nga 1000 deri 5000 km (KN 11, 15, 17, Musudan), si dhe raketa balistike me rreze të gjatë ndërkontinentale ICBM mbi 10 000 km (Hwasong 14, KN-14).

Këto raketa mund të jenë konvencionale, por mund të mbartin armë bërthamore, kimike dhe biologjike. Rezja e veprimit maksimale e testit të fundit të raketës balistike ndërkontinentale (ICBM), e kryer në shtator 2017, që mund të mbartë kokën bërthamore supozohet se ka qenë 10 400 km, e cila teorikisht mund të arrijë deri në brigjet perëndimore të SHBA-ve.

Për krahasim, distancat e disa kryeqyteteve/ metropoleve/ territoreve të vendeve kundërshtare të KV janë: Seuli rreth 50 km, Tokio 1100 km, territoret e ishujve Guam të SHBA janë 3500 km, ndërsa Los Anxhelos dhe San Francisko janë rreth 8600 deri 9000 km. Armët e Shkatërrimit në Masë (ASHM) dhe sidomos ato bërthamore, konsiderohen si garanci për mbijetesën e regjimit të Koresë së Veriut. KV synon t’i përdorë këto armë për t’u kthyer në një aktor të rëndë- sishëm në politikën ndërkombëtare.

5. Arsenali Konvencional Ushtarak i KV. Koreja e Veriut është një shtet thellësisht i militarizuar. Ajo ka një forcë ushtarake prej 1,2 milionë ushtarë aktivë dhe 600 mijë rezervë, si dhe popullsi civile të aftë për t’u aktivizuar në ushtri, prej 6,5 milionë. Ajo ka rreth 200.000 forca speciale për luftë asimetrike si gardë pretoriane e Liderit Suprem.

Arsenali i saj i armatimeve përbëhet nga mbi 6000 tanke, 4000 transportues të blinduar, rreth 1000 avionë luftarakë gjuajtës dhe shumërolësh, rreth 200 helikopterë të roleve të ndryshme, 525 anije luftarake të roleve të ndryshme dhe rreth 75 nëndetëse, etj. Kohët e fundit, KV po investon edhe për kapacitete të luftës kibernetike, për qëllime ushtarake.

Po ashtu, ka një arsenal artilerie dhe raketë prej rreth 20 mijë gryka zjarri artilerie dhe raketë, prej të cilave rreth 8.000 shtrate lëshimi raketash dhe topa me larghedhje të madhe të vendosura menjëherë pas Zonës së Demilitarizuar, e cila është rreth 50 km nga Seuli, kryeqyteti i KJ, me një popullsi të metropolit me më shumë se 25 milionë njerëz. Kjo përbën një kërcënim ekzistencial duke shtuar dhe përdorimin e mbushjeve kimike dhe biologjike. Nëse shtohen dhe kapacitetet bërthamore ICBM, mund të vihen në rrezik shumë kryeqytete të tjera si, Seuli, Tokio, apo deri në pjesën perëndimore të SHBA. Kjo strategji synon “të zmbrapsë Trump-in” duke kërcënuar se në rast goditjeje ushtarake: “KV do të zhdukë Seulin dhe Tokion nga faqja e dheut”.

Një forcë ushtarake kaq e madhe dhe një shtet kaq i militarizuar mbështetet me një buxhet gjigand për mbrojtjen, rreth 21 % të GDP së vendit (vendi i parë në botë), që arrin në rreth 15 miliard US$, ndërkohë që buxheti i SHBA është 3,8% GDP ose rreth 700 miliardë US$.

6. Aktorët Kryesorë të Zgjidhjes së Krizës së KV. Kim Jong-Un nuk ka asnjë aleat të vërtetë në marrëzitë e tij të rrezikshme. Edhe ato pak aleate apo shtete që ka bashkëpunuar deri tani për çështje ekonomike e tregtare, po i humb një nga një. Të gjithë vendet i janë bashkuar rezolutës 2375 të OKB në shtator 2017, për sanksionet të mëtejshme ndaj KV. Kundërshtari numër një i KV është SHBA. Ndryshe nga ish-Presidenti Obama, me teorinë e tij të “Strategic Patience” ndaj regjimit të Fenianit, Presidenti Trump ka thënë shpesh se “të gjitha opsionet janë në tavolinë” dhe se “opsioni ushtarak nuk përjashtohet”.

Ai e ka quajtur Kim-Jong-Unin si “njeri-raketë”, “të paqëndrueshëm mendërisht”, etj. Në prill 2017, duke parë lëkundjet e Kinës për zgjidhjen e krizës së KV, Presidenti Trump tha: “Nëse Kina nuk do të zgjidhë krizën e KV me influencën e saj ekonomike, ne do ta zgjidhim atë. SHBA nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të shkatërrojë tërë- sisht KV, për vetëmbrojtje dhe mbrojtjen e aleatëve të saj në rajon.” Ndërsa, Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, Jim Mattis, dhe gjeneralët në Pentagon konsiderojnë se një luftë në gadishullin Korean do të ishte me pasoja “katastrofike”, ndërsa e vlerësojnë KV si “rrezikun më urgjent dhe më të madh për paqen dhe sigurinë globale”. SHBA ka mbi 30.000 trupa në KJ, 40.000 në Japoni, 7000 në Guam, si dhe shtatorit 2017, ka instaluar pas një sistem antiraketë THAAD, dhe forca të tjera speciale. Po ashtu, SHBA ka mbi 375 mijë trupa në Paqësor, “të trajnuar si forca më e mirë në planet dhe e gatshme të ndërhyjë në KV dhe ta mposhtë atë”, thotë Admirali Harry Harris, komandant i kësaj flote.

Po ashtu, Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Jens Stoltenberg pas testit bërthamor të KV,në 3 shtator 2017, u shpreh se “sjellja e KV përbën një kërcënim global dhe si e tillë, kërkon një përgjigje globale, si dhe natyrisht përfshin edhe NATO-n”. Një çështje për t’u diskutuar është, nëse duhet apo jo të aktivizohet Neni 5 i Aleancës, në rast se KV godet me raketa ishujt Guam, që janë territore të SHBA. Pjesë e vendimmarrjes në këto raste, mbi zbatimin e parimit “një për të gjithë dhe të gjithë për një” është edhe Shqipëria, si vend aleat i NATO-s. Në dhjetor 2016, NATO, së bashku me katër partnerë të Azisë, Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut, i bënë thirrje KV “Të heqë dorë nga programet bërthamore dhe i raketave balistike ndërkontinentale, si dhe nga arsenali ekzistues i tyre, në një mënyrë të verifikueshme dhe të pakthyeshme, dhe të angazhohet në bisedime të besueshme për denuklearizimin e gadishullit të Koresë”.

Kina po luan një rol më aktiv në krizën e KV. Kohët e fundit ka një “tensionim” të marrëdhënieve të Kinës me KV, sidomos pas ndërprerjes së furnizimin nga Kina të KV me qymyr, energji dhe ushqime, nga e cila kjo e fundit është e varur shumë. Po ashtu KV ka një vartësi të madhe për naftë nga Kina. Ajo prodhon vetë 100 fuçi nafte në ditë nga 15 000 fuçi nafte, që ajo harxhon, kryesisht për ushtrinë dhe programet ushtarake të saj. Pekini i konsideron “të papranueshme” provat bërthamore dhe raketore nga KV ,si dhe propozuan, së bashku me Rusinë, një moratorium të stërvitjeve provokuese nga të dy Koretë. Nga ana tjetër, në rast konflikti, Kina i frikësohet një dyndjeje së refugjatëve koreanoveriorë në Kinë. Ajo po synon të rifillojnë Bisedimet 6-Palëshe për stabilizimin e gjendjes në gadishullin Korean.

Rusia ka qenë një vend mik i KV deri në fund të luftës së ftohtë. Qëndrimi i tanishëm i Rusisë është “i moderuar, por jo shumë aktiv”. Moska ka kritikuar në vazhdimësi edhe stërvitjet e përbashkëta të Koresë Jugut me SHBA. Ajo nuk e mbështet Kim Jong-Unin dhe është për zgjidhje me bisedime paqësore dhe me mjete diplomatike. Duhet nënvizuar, se Rusia, ashtu si edhe Kina, mbështetën Rezolutën 2375 të OKB në shtator 2017 për sanksionet ndaj KV. Një nga vendet në Europë, që ka patur deri se fundmi bashkëpunim në fushën ekonomike me KV, është Bullgaria, e cila e ka furnizuar KV me qymyr dhe hekur qysh nga vitet ‘70. Muajt e fundit, edhe Bullgaria i është bashkuar sanksioneve të bllokadës duke pezulluar furnizimin e mëtejshëm me minerale, që mbështesin programet raketore dhe bërthamore të KV. Disa aleatë të tjerë të KV në botë, tashmë të lëkundur, janë Benin, Madagaskar, dhe Republika Dem. e Kongos etj.

7. Cilat janë opsionet e mundshme “në tavolinë”?

Sipas politikanëve, të gjitha opsionet janë në tavolinë, ndërsa sipas ekspertëve ushtarakë, janë duke u peshuar 4 opsione strategjike për të zgjidhur krizën e Koresë së Veriut dhe stopimin e programit të saj bërthamor:

Opsioni i shpagimit masiv (massive retaliation). Ky opsion parashikon goditjen e pandërprerë nga toka, ajri dhe deti dhe eliminimin e befasishëm të të gjithë arsenalit të Armëve të Shkatërrimit në Masë, eliminimin e lidershipit të lartë politiko–ushtarak, si edhe të dispozitivit ushtarak të KV. Pra, eliminimi i plotë i aseteve të regjimit, dhe bashkë me to, edhe i Liderit Suprem.

Opsioni i ndëshkimit të selektuar. Ky opsion parashikon goditjen selektive nga deti dhe ajri të objektivave të rëndësisë së veçantë, duke ndëshkuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të KV. Ky opsion nuk e eliminon regjimin dhe Liderin, por e ul atë në tavolinë duke i imponuar zgjidhjen e ofruar për ndalimin e programit bërthamor dhe raketor dhe të kërcënimeve të tij. Opsioni i Eliminimit. Ky opsion parashikon eliminimin në forma të ndryshme të “Liderit Suprem” dhe gjithë drejtuesve të lartë politiko– ushtarakë dhe aseteve të tyre, si dhe organizimin e një procesi për ndryshimin e sistemit dhe lidershipit në Korenë e Veriut.

Opsioni i Pranimit. Ky opsion parashikon lejimin e Kim-Jong-Unit dhe regjimit të tij, të ekzistojë dhe të zhvillojë programin bërthamor dhe raketor të KV!. Për pasojë, lejimin edhe të Japonisë dhe Koresë së Jugut, të zhvillojnë programet bërthamore të tyre për të balancuar fuqinë e KV. Të gjitha opsionet e mësipërme kanë anët e forta dhe të dobëta të tyre. Mund të ketë dhe opsione të tjera ku ndërthuren elementë nga opsionet e mësipërme. Sidoqoftë, zgjidhja e krizës së Koresë së Veriut është në rendin e ditës. Sipas eksperteve, kjo është kriza më e vështirë në historinë e njerëzimit deri tani. Të shohim, cila do të predominojë: forca e arsyes apo arsyeja e forcës.

*Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës. Ish-Zv. Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në Komandën Supreme të NATO-s. Opinionet janë vetëm të Autorit dhe nuk përfaqësojnë vlerësime zyrtare të Institucionit të Presidentit