Pak ditë më parë qeveria vendosi të rrisë pagat për stafin e tre komisioneve të vetingut, ndërsa po ashtu vendosi që personeli i këtyre organeve të ruhet nga Garda e Republikës.
Megjithatë me ngritjen e SPAK, Drejtoria e Pastrimit të Parave do ketë një rol thelbësor pikërisht sa i takon vetingut në radhët e drejtësisë dhe politikës shqiptare, dhe me shumë gjasa ky institucion do të jetë tejet i rrezikuar nga presionet që mund t’i bëjnë këto kategori. Kështu, të ndodhur përpara kësaj situate dhe për të parandaluar ndonjë presion të mundshëm, Komisioni për Sigurinë Kombëtare do të zhvillojë ditën e hënë një vizitë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Fokusi i kësaj vizite është njoha me mjediset, strukturën, punën në përgjithësi, shqetësimet e personelit apo sugjerimet me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë së stafit në këto institucione. Pra DPPPP ka një rol të rëndësishëm tek reforma në drejtësi, e cila pritet që shumë shpejt të shkaktojë tërmet në gjyqësor dhe në politikën shqiptare.
Mirëpo, sinjalet e kohëve të fundit janë se shumë gjyqtarë e prokurorë i kanë nxjerrë jashtë paratë e tyre, në vende si Qipro, Maltë apo ishujt Kajman. Dhe për këtë arsye, drejtoria e Pastrimit të Parave është duke verifikuar.
Mwsohet se një verifikim më i detajuar do të nisë kur të marrin dosjet në dorë anëtarët e komisioneve të vetingut dhe kur të ngrihet Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Pasi SPAK do të asistohet nga BE dhe SHBA sa i takon misionit të tij në lidhje me zbulimin e parave të njerëzve të politikës dhe drejtësisë shqiptare, jo vetëm në vend por kudo në botë. / CityNews
















