
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të tërheqë sot mbështetjen e tij për marrëveshjen bërthamore me Iranin, por nuk do ta shfuqizojë atë plotësisht. Udhëheqësi amerikan do të parashtrojë atë që zyrtarët thonë se do të jetë një strategji e re, më e rreptë për Iranin.
Në një fjalim sot më vonë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti ka në plan të deklarojë se nuk është në interesat e sigurisë kombëtare amerikane që ai të çertifikojë marrëveshjen e vitit 2015, të cilën Uashingtoni arriti me Iranin dhe pesë vende të tjera.
Mosçertifikimi i marrëveshjes do të fillojë një periudhë 60 ditore, gjatë së cilës Kongresi duhet të vendosë nëse do të rivendosë disa, apo të gjitha sanksionet ekonomike që janë hequr si pjesë e marrëveshjes me Iranin.
Shumë republikanë dhe demokratë e kundërshtojnë rivendosjen e sanksioneve, që në fakt do të minonin marrëveshjen. Njoftimet e medias sugjerojnë se presidenti Trump mund të mos i bëjë thirrje Kongresit ta bëjë një gjë të tillë.
Presidenti Trump e ka quajtur atë “një nga marrëveshjet më të pakuptimta ndonjëherë” dhe ka sugjeruar vazhdimisht se mund të largohet prej saj.
Presidenti ka thënë se Irani nuk ka “mishëruar thelbin” e marrëveshjes.
Sipas ligjit amerikan, presidenti duhet të çertifikojë çdo 90 ditë se Irani po përmbush marrëveshjen dhe se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të respektojë marrëveshjen. Presidenti Trump e ka bërë këtë dy herë, por jo me vullnet të plotë.
Afati për çertifikimin e ardhshëm është 15 tetori.
Administrata Trump ka vazhduar të akuzojë Iranin për sponsorizim të terrorizmit, për kërcënim të aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe për prova me raketa balistike. Presidenti Trump ka thënë publikisht se marrëveshja nuk i mbulon këto çështje..
Zyrtarët iranianë kanë theksuar se marrëveshja nuk mund të rinegociohet. Presidenti Iranian Hassan Rouhani ka kërcënuar të largohet nga marrëveshja “brenda pak orësh” në se Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të reja.
Në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë të enjten, udhëheqësi amerikan pritet të parashtrojë kundërshtimet ndaj marrëveshje bërthamore të vitit 2015, por gjithashtu sjelljen e qeverisë iraniane dhe çështje të tjera, përfshirë programin e tyre të raketave, mbështetjen e tyre për presidentin sirian Bashar al Assad, dhe lidhjet e Teheranit me terrorizmin.

















